5 Janar, 2019 - 4:40 pm
Degët e një trungu shumëvjeçar të shelgut në Kaçanikut, i shpallur si monument i mbrojtur i karakterit botanik, janë prerë për t’i liruar hapësirë një objekti të ri në skaj të çarshisë së këtij qyteti, raporton Koha.net.
Në afërsi të trungut është e vendosur tabela: “Trungu i shelgut monument natyre, mbrohet me ligj”. Këtë shënim nuk e kanë respektuar ndërtuesit e këtij objekti që kanë prerë disa degë që të mos pengojnë objektin e ri.
Sami Stagova nga Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi” në Kaçanik, ka thënë se trungut shumëvjeçar shumë shpejt mund t’i vjen fundi si pasojë e ndërtimit të po bëhet në afërsi të tij.
“Syri i kamerës së Organizatës evidentoi betonin në rrënjët e trungut, prerjen e së paku tre degëve të tij me diametër 20 centimetra dhe ndërtimin e një strukture betoni ngjitur trungut. Kjo është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës”, ka thënë Stagova.
“Neni 14.3 nuk lejon që në afërsi të drejtpërdrejt të tij që të kryhen punë të cilat rrezikojnë karakteristikat dhe vlerat e tij”, ka shtuar ai.
Kjo organizatë gjithashtu ka thënë se ndërtimi që ka marrë lejen nga Komuna e Kaçanikut, nuk përshtatet me identitetin e çarshisë së këtij qyteti.
“Në të vërtetë Komuna e Kaçanikut nuk posedon ndonjë plan formal të aprovuar për rigjenerimin e çarshisë përveç një projekti të viteve ’80-ta, i cili është i skaduar në kontekstin e funksionalitetit dhe identitetit komunist të kohës. Në anën tjetër, pas vitit 1999 nuk është zhvilluar seriozisht ndonjëherë ideja e rregullimit të saj përmes ndonjë plani zhvillimor apo operativ. Në të vërtetë çarshia ishte dëmtuar nëpër vite për t’iu dhënë edhe shtysa e fundit vitin e kaluar nga po kjo administratë me demolimin e pjesës së fundit të vjetër të saj”, ka thënë Stagova.
“Gjethi” kishte propozuar disa ide rreth rregullimit të çarshisë së Kaçanikut, por këto propozime nuk janë përfillur nga Komuna, ndonëse kishte thirrur një takim publik për të diskutuar rreth çarshisë.
“Gjethi është në favor të rindërtimit/ rigjenerimit të çarshisë së Kaçanikut sepse ky hap është kyç në zhvillimin e qytetit i cili do të ngërthente historinë e tij mesjetare me mikpritjen tradicionale dhe mjedisin e pastër të një vendi malor, të cilat së bashku do të tregonin një identitet shumë më atraktiv dhe komplet ndryshe nga ai i krijuar momentalisht; megjithatë kundërshton fuqishëm hapat e ndërmarrë me këtë rast”, ka thënë Stagova.
“Ndërtimi në fjalë nuk paraqet asgjë tjetër përveç një presion nga biznesi privat për të shtuar hapësirat e veta në disfavor të rregullimit të mirëfilltë të çarshisë; një administratë lokale pa ide, të cenueshme dhe ndoshta edhe qëllimkeqe kur është fjala për të udhëhequr zhvillimin lokal; dhe një rast precedenti që në të ardhmen do të mundë të shërbente për ndërtimet tjera që ta përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e krijuar në çarshinë e Kaçanikut”, ka thënë ai./ KultPlus.com