25 Prill, 2025 - 10:01 pm
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vijon të tërheqë turistë të shumtë vendas e të huaj.
Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale një video me përshtypjet e disa prej turistëve që kanë vizituar gjatë prillit kalanë e Gjirokastrës.
“Kalaja e Argjirosë përmes fjalëve të vizitorëve që e shijojnë në çdo stinë e në çdo kohë”, shkruan Kumbaro.
Një turiste shprehet se “vijmë nga Franca, kjo është hera e parë në Shqipëri dhe në Gjirokastër, zbuluam këtë kala të mrekullueshme me një pamje magjike, është vërtet mbresëlënëse”.
Klara nga Gjermania tha se “na ka pëlqyer shumë përvoja këtu në kala. Është shumë bukur që mund të ecësh kudo dhe pamja është fantastike. Na pëlqen shumë”.
Një tjetër turist që vjen nga SHBA, tha se “jam me prejardhje kinezo-amerikane. Sapo kam ardhur në Shqipëri dhe më pas në Gjirokastër, është super bukur, moti e shihni vetë fantastik, kalaja është e mrekullueshme, pamjet janë fantastike”.
“Ne jetojmë në Londër kjo është hera e parë në Shqipëri, erdhëm dje dhe sot erdhëm në Gjirokastër. Deri tani po e shijojmë shumë, kalaja është e bukur e ruajtur shumë mirë, është e mahnitshme sa shumë histori ka këtu. Ka periudha të ndryshme shumë interesante, pamjet janë të jashtëzakonshme dhe vendi është ende i ruajtur shumë mirë”, tha një çift turistësh.
Sipas tyre, kalaja është vendi ideal për të shëtitur lirshëm.
“Nuk ka shumë informacion ngarkues , por sa duhet, tabelat informuese janë të qarta”, thanë ata.
Stacey nga Leeds, Angli, u shpreh se “na ka pëlqyer shumë këtu”.
Ndërsa Edmond Saushi nga Berati tha se “kam ardhur të vizitoj kalanë është hera ime dytë, është shumë bukur objektet duhen ruajtur janë gjëra të rralla”./atsh/KultPlus.com