9 Maj, 2023 - 10:00 am
Këtë pranverë, shumë prej turistëve zgjedhin të përshkojnë me biçikletë rrugën e shkurtër nga Shkodra deri në fshatin e Mesit.
Në përfundim të rrugës, ata freskohen në ujërat e freskëta të lumit, ndërsa shijojnë peizazhin natyror që shtrihet përreth Urës së Mesit, me majat e maleve, të cilat rrethojnë lumin e kristaltë dhe e kthejnë urën 300-vjeçare, në një simbol të harmonisë midis natyrës, njeriut dhe historisë.
DRTK Shkodër sjell një album fotografik të turistëve dhe ujërave të kristalta që kanë tërhequr vizitorë.
Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.
E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet pashë Bushati, ura me kurriz, që ndodhet mbi lumin Kir, shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.
Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër. / atsh / KultPlus.com