4 Gusht, 2018 - 6:02 pm
Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të konsiderueshme të turistëve në monumentet e kulturës në gjithë vendin.
Kalaja e Rozafës në Shkodër, një vend atraktiv ku historia, arkitektura, peizazhi fantastik ndërthuren në mënyrë të përkryer, po mahnit gjithnjë e më shumë turistët e huaj dhe ata vendas.
Numri i vizitorëve është gjithnjë në rritje në këtë atraksion turistik, i cili përveç bukurive mban dhe misterin e historisë së Rozafës.
Kalaja e Shkodrës në periudhën janar- korrik 2018 është vizituar nga 58,241 turistë, nga të cilët 16.105 përfituan nga hyrjet falas në ditët e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.
Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të konsiderueshme të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar , ku kalaja u vizitua nga 22,823 turistë.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik.
Në muret rrethuese të kalasë dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX).
E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.
Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit ilir Gent. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët.
Brenda mureve të saj ruhen ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative, etj. Sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve , me porta mes tyre.
Objekte të tjera me vlera të mëdha kulturore e që tregojnë shumë për historitë e kaluara të popullit tonë janë ,cisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII, e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Po kështu aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës, i cili shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë./ ata