9 Nëntor, 2024 - 4:00 pm
Shkodra është një nga qytetet kryesore për turizmin në Shqipëri, me një kombinim unik të kulturës, historisë dhe natyrës.
Një nga simbolet kryesore të qytetit, është Kalaja e Rozafës, e vendosur mbi një kodër që ofron pamje mahnitëse të lumit Buna dhe qytetit të Shkodrës.
Gjatë këtij sezoni turistik, vizitorë të shumë kanë vizituar Kalanë e Shkodrës, me dëshirën për t’u njohur me historinë dhe legjendën e saj.
Këtë e tregojnë edhe shifrat e bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër (DRTK). Sipas DRTK nga 1 janari deri më 31 tetor kalaja e Shkodrës është vizituar nga 146 541 vizitorë.
Një rritje kjo sipas të dhënave prej 26% nga viti i kaluar, duke qëndruar në krye të listës së siteve dhe monumenteve të vendit tonë.
Investimet e kryera në kala e kanë kthyer atë në një atraksion turistik të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj. Ata shfaqin interes edhe për muzeun, ku janë të ekspozuara objekte që i përkasin Antikitetit dhe Mesjetës, si dhe mozaikun romak të shek. IV pas Krishtit zbuluar në vitet ’78-79 në pjesën e poshtme të qytetit.
Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare./ KultPlus.com