19 Korrik, 2018 - 5:21 pm
Një turist kosovar nga Prizreni po pretendon se është larguar me dhunë nga apartamenti i tij privat që kishte rezervuar për t’i kaluar pushimet verore. Thotë se nga njëri apartament në Durrës është larguar me dhunë dhe nën kërcënime, raporton Insajderi.
Turisti nga Kosova që nuk ka dashur t’i përmendet emri por vetëm inicialet B.K ka thënë për Insajderin se është larguar me dhunë nga apartamenti së bashku me të dashurën e tij.
Sipas pretendimeve të tij, ai kishte rezervuar dhe kishte paguar për të qëndruar disa net në atë apartament, por që sipas tij dy ditë para se t’i skadonte rezervimi ai ishte larguar me dhunë.
B.K, pretendon se pronari me djemtë e tij dhe punëtorët i trokitën në gjashtë të mëngjesit në derë për ta urdhëruar largimin nga aty. Ndërsa thotë se nuk iu kthyen as paratë dhe as nuk qëndroi për netët e paguara.
“Së bashku me të fejuarën time isha në Durrës dhe kisha zgjedhur një apartament privat për ta kaluar pushimin. Por dy ditë para se të largohem, para se të skadonte marrëveshja, pronari me djem dhe me punëtorë në ora 6 të mëngjesit ka ardhur në dhomë dhe më ka nxjerrë jashtë”, ka deklaruar ai.
Ai pretendon se ishte kërcënuar nga pronari se nëse nuk e liron dhomën do të ballafaqohej me probleme.
“Unë i tregova se kam edhe dy ditë me qëndruar, por nuk dëgjonte thoshte se marrëveshja ka qenë kështu. Më tha për gjysmë ore e liron banesën ose i kemi punët keq. Mu dashtë me dal nga aty s’kisha llogari mu mbyt për dy ditë”, ka deklaruar ai.
Më tej ai sqaron se më pas nuk kishte gjetur fare apartament për ta kaluar edhe një natë, por thotë se u detyrua të kthej në Kosovë më herët.
“Shikova mos po gjej për 1 natë ndonjë apartament tjetër aty afër, ama nuk gjeta dhe u ktheva krejt në shpi, çka me bë. Po mua vizitat në Durrës kanë marrë fund sepse nuk shkojë më”, ka pretenduar B.K.
Insajderi gjatë sezonit verorë kur kosovarët ia mësyjnë bregdeteve shqiptare do të jetë i fokusuar në raportimin për brengat e turistëve kosovarë në Shqipëri. Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për këso probleme të kosovarëve ashtu siç inkurajon të gjithë ta bëjnë një gjë të tillë në rast të keqtrajtimeve apo pa rregullsive. / KultPlus.com