5 Tetor, 2017 - 8:34 pm
Viti 2016 pati një rritje me 17,5%, të vizitorëve në krahasim me 2015-tën ndërsa viti 2017 nuk është mbyllur akoma për të pasur një rezultat të saktë.
Nuk është vetëm turizmi natyror, detar apo kulinar që ka Shqipëria, por në krye ka dalë edhe turizmi kulturor, madje luan një rol të madh në zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Shqipëria ka tre vende të mbrojtura nga UNESCO, qytetin e Beratit, Gjirokastrës dhe Butrintin dhe tashmë po punohet për të futur në UNESCO, pjesën shqiptare të Liqenit të Ohrit, e cila do i bashkohet pjesës tjetër të liqenit që tashmë është në UNESCO.
Liqeni i Ohrit është një ndër 28 pasuritë e pakta që janë mikse në UNESCO, pra trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore.
Sipas statistikave në vitin 2016, vizitorët në muze, parqe dhe monumente kulturore janë rritur me 17,5%, dhe të ardhurat e gjeneruara në këtë kategori janë rritur me rreth 19%, ndërsa ky vit është në vazhdim.
Shqipëria po bën përpjekje maksimale që vendet dhe monumentet e trashëgimisë t’i përdorë si mundësi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke promovuar edhe destinacione të reja, duke nxitur produkte turistike shtesë të komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke ndihmuar me financime, projekte të ndryshme që kontribuojnë në reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin dhe mirëqenien e këtyre komuniteteve si dhe rritjen e punësimit në këto rajone./ KultPlus.com