9 Korrik, 2023 - 1:30 pm
Kosova është adresë e shumë turistëve të huaj të cilët vizitojnë vendin për të eksploruar natyrën por edhe historinë, traditën e kulturën. Megjithatë, në pritje të vizitorëve të huaj vendi ende nuk ka ciceronë të licencuar.
Por pritja e turistëve në vendin tonë bëhet kryesisht nga shoqata të ndryshme. Rreziku në këtë pikë shpeshherë ekziston për shtrembërim të fakteve në mungesë të ciceronëve të licencuar. Nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës thonë se tashmë është hapur thirrja për licencimin e ciceronëve të cilët kanë kryer trajnime e që janë profesionalizuar.
Kosova ishte destinacioni i pavizituar më parë për dy turistet nga Anglia. Ato thonë se ajo që i solli më shumë këtu është historia.
“Kam ardhur nga Anglia, konkretisht nga Londra. Është hera e parë që vizitojmë Kosovën, kemi qëndruar për 5 ditë dhe sot të largohemi. Njerëzit këtu ishin mjaft të dashur, vendi këtu ishte i bukur dhe më shumë shpresa për të ardhmen. Ne kemi dëgjuar pak për historinë tuaj dhe për atë arsye kemi dashur të vijmë këtu sepse ndonjëherë kur dëgjon nga “jashtë” nuk mund tw marrësh tërë fotografinë apo ndoshta të bënë të ndihesh e frikësuar, por ne tani kemi mësuar shumë më shumë por që kemi ende shumë pyetje për të bërë”, tha turistja, Harry Cytbee.
“Njerëzit këtu shumë të ngrohtë, qyteti shumë i bukur dhe me shumë histori. Do të doja ta vizitoja përsëri vendin tuaj. Përveç Prishtinës, kam vizituar edhe qytetet e tjera, si Gjakovën, Prizrenin dhe Pejën dhe kemi kaluar shumë mirë”, tha turistja Tabithy Patson.
Por pritja e turistëve në vendin tonë bëhet kryesisht nga shoqata të ndryshme por jo edhe ciceronë të licencuar. Kjo ngrit edhe problemin me keqinformim.
Bekim Xhelili me profesion etnolog, ka disa vjet që ushtron edhe detyrën e udhërrëfyesit apo ciceronit turistik kulturor në territorin e Kosovës. Ai thotë se përgjatë tërë vitit, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Muzeun Etnologjik shkon deri 20 mijë, por që sipas tij shqetësuese vazhdon të mbetet, keqinformimi nga ciceronët e huaj.
“Kemi pas rast kur kanë thënë se veç 60-70 për qind janë shqiptarë dhe pjesa tjetër janë serbë e komunitete tjera, se ne nuk jemi kundër komuniteteve tjera që janë në Kosovë por si informacion nuk është i saktë. Pastaj me pjesën e religjionit e sidomos pjesën e politikës si temë apo si fushë e ndjeshme që është në Kosovë, në rajon dhe Ballkan, për atë duhet ciceroni lokal”, tha Bekim Xhemili, ciceron.
Nga Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës, thonë se tashmë është hapur thirrja për licencimin e ciceronëve të cilët kanë kryer trajnime e që janë profesionalizuar.
“Kjo për neve është shumë e rëndësishme pasi unioni i turizmit e ka ngritur zërin që disa vite që të bëhet kjo, për shkak se ne kemi pasur ciceron nga shtetet e ndryshme të cilët e kanë elaburu, kulturën, historinë dhe traditën tonë ashtu siç kanë dashtë ata, pra e kanë devijua nga realiteti”, tha Baki Hoti, nga shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës.
Sipas udhëzimit administrativ, të gjithë ciceronët të cilët operojnë pa licencë nuk do të kenë mundësi të punojnë, në të kundërtën ata do të gjobiten./RTK/ KultPlus.com