30 Janar, 2020 - 1:50 pm
Arbër Selmani
Legjenda thotë se ishte e mërkurë kur gjashtë çika po i lanin petkat e tyre. Motrat luftuan me austro-hungarezët, 400 vite më parë, e vite më vonë thuhet se në shtëpinë e tyre u gjet një thikë.
Sot, kjo hapësirë në Gjakova quhet Tyrbja e Çikave. Çikat ende dalin në ëndërrat e njerëzve që jetojnë rreth tyrbes, një vendi të qetë e të relaksuar që vite më parë u bë fole flijimi.
Mbrëmë, në Prishtinë, Lola Sylaj dhe Donjeta Murati e prezantuan hulumtimin e tyre rreth kësaj tyrbe. Me anë të një dokumentari, dyshja ka sjellë këtë tyrbe, situatën që atë e bëri të famshme në Kosovë. Gjashtë çika në dokumentar i lajnë petkat, të nervozuara, të gatshme për ta luftuar armikun me po këtë thikë që më vonë u gjet rreth shtëpisë-tyrbe.
Tetë muaj i janë dashur Lolës dhe ekipit të saj ta finalizojnë dokumentarin 10 minutësh për Tyrben e Çikave, një histori sa interesante aq edhe e mishëruar për heroizmin e çikave para 400 vjetve.
Lola Sylaj, artiste, tregon se kjo histori e ka thumbuar për të realizuar një punë artistike e cila bazohet në një histori si kjo.
Një ditë, ushtarët austriakë hynë në oborrin e tyre dhe papritmas u ndeshën me rezistencën e gjashtë motrave, që rastësisht lanin rroba në oborr. Ushtarët, të tërhequr nga bukuria përrallore e vajzave motra, vrapuan për t’i kapur ato që t’i merrnin me vete apo t’i dhunonin. Vajzat luftuan duke i gjuajtur ushtarët me ujë valë.
Në ndihmë u erdhi edhe babai i tyre, Mehmet Efendiu. Vajzat i mbytën disa ushtarë, por ata ishin shumë dhe vajzat, në pamundësi për të shpëtuar, u vetëmbytën.
Por, disa të dhëna thonë se ushtarët austriakë, në pamundësi për t’i kapur vajzat, i vranë ato e edhe babanë e tyre. I varrosën në oborrin e shtëpisë ku gjendën edhe sot varret e tyre.
Që nga ajo kohë, asgjë nuk ka ndryshuar në atë vend, as pamja, as pemët, andaj gjithçka mbeti nën ndikimin e natyrës, shkruan KultPlus.
“Tyrbja është aty dhe njerëzit rreth saj e dijnë historinë por edhe shpesh flasin për të. Dokumentari është i ndarë në disa pjesë, unë kam dashur që aty mos të paraqes luftë por më shumë ndjenjën e çikave duke larë petka dhe duke gjetur thikën e austro-hungarezëve” tregoi Lola Sylaj në një diskutim që pasoi pasi dokumentari u dha dy herë, shkaku i interesimit të madh. / KultPlus.com