9 Janar, 2018 - 6:43 pm
Të shkruash për Prishtinën, duhet përmendur edhe një pjesë e saj, që është Tyrbja e Sulltan Muratit, 700 vjet e vjetër, si dhe kujdestarët e saj.
Për kaq vjet, familja e Tyrbedarëve bën rojën e saj, prej nga dhe rrjedh mbiemri. Një historik i shkurtër i kësaj familjeje, rrëfyer nga pjesëtari i saj , Abdurrahman Tyrbedari, pensionist, që llogariten të jenë prishtinas të vjetër, mirëpo ky tregon një prejardhje tjetër:
– Jo, familja jonë, stërgjyshi – Haxhialibara, ka ardhur në vitin 1848 nga Buhara, një krahinë në Yzbegistan (Rusi), të cilën e kanë sjellë këtu osmanlinjtë. Gjyshi quhet Mehmedali ndërsa im atë – Hashim.
Kur ka ardhur gjyshi, Mehmedalia, këtu nuk ka pasur përmendore, tyrbe, por vetëm shenjat nga Beteja e Kosovës në vitin 1389. Tyrben e ka ndërtuar Sulltan Abdyl Hamiti më 1852-53, ndërsa Sulltan Murati nuk e ka varrin aty, po në Bursa të Turqisë. Këtu e ka vetëm shenjën ku ka rënë shehit.
– Pra në tyrbe, kryesori ka qenë gjyshi im, Mehmedalia, i cili është kujdesur për të. Rreth tyrbes kemi pasur tokën prej 100 hektarësh, dhe ai katund, Mazgiti, ka qenë yni. Krejt të tjerët kanë qenë çifçinj. Im gjysh, Mehmedalia, ka vdekur më 1928.
Është interesant se ne aty e kemi pasur edhe ‘Selamllëkun’. Më 1952, ai u bë shkollë politike, në atë kohë nuk ka pasur ndërtesë më të bukur as në Prishtinë. Te stallat tona, të cilat i rregulluan, i adaptuan, ishte Mensa. Aty mësonin e aty ushqeheshin. Ne kemi jetuar brenda mureve të oborrit të Tyrbes me axhallarët e me të gjitha, kemi qenë kallaballëk.
Tyrbja ka qenë një lloj teferiçi për prishtinasit, ku shkonin zakonisht të dielave, e sidomos në ditën e Shën Gjergjit. Dita kalonte me çaj e me këngë.
Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime