18 Prill, 2020 - 6:30 pm
Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, mbart brenda vetes edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike.
Ambientet e ekspozimit strehojnë koleksionet e përhershme më të rëndësishme ku përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko–romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë.
Në një video të publikuar nga Muzeu Historik Kombëtar janë përzgjedhur eksponatet më të spikatura të Antikitetit (rreth 14 objekte), të cilat përfaqësojnë objekte me vlera artistike, estetike dhe historike, e njëkohësisht përbëjnë kryevepra të artit antik të kohës, duke treguar për nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik e kulturor që arritën qytetet ilire gjatë shek. IV–II p. Kr.
Pjesën më të madhe të objekteve të përzgjedhura e përbën skulptura në reliev dhe e rrumbullakët, stelat e varreve si dëshmi e nivelit të lartë artistik që arritën mjeshtrit vendas të punimit të gurit por edhe si dëshmi epigrafike, si dhe mjeshtërinë e përpunimit të metaleve, ku veçojmë këmbën e një vazoje bronzi në formë sfinksi, të prodhuar në punishtet e farkëtarëve të qytetit antik të Antigonesë.
Objektet e përzgjedhura tregojnë njëkohësisht dinamikën e lidhjeve ekonomike të territorit tonë përgjatë këtyre shekujve me qytetet si Korinti, Athina apo me ato të Magna Grecia–s dhe njëkohësisht zbulojnë edhe shkallën e urbanizimit të qyteteve ilire nëpërmjet gjallërimit të prodhimit vendas, të cilat jo vetëm ishin aktive në këtë sektor, por kishin arritur në shek. III–II p. Kr., një nivel të lartë të specializimit të degëve ekonomike, siç dëshmojnë eksponatet me prejardhje nga Apolonia, Dyrrahu, Antigone, etj.
Rëndësia e prodhimeve lokale në tregun ndërkrahinor ilir do të vazhdojë edhe me ardhjen e Romës. /KultPlus.com