23 Tetor, 2018 - 9:30 am
Ujëvara e Hinkës, një kryevepër e natyrës, që ndodhet në kodrat e Peshtanit në Fier, është kthyer në një destinacion të vërtetë turistik.
Kjo ujëvarë ka qenë një vend çlodhjeje dhe pelegrinazhi për banorët e Peshtanit, Levanit etj., që e kanë shfrytëzuar atë për piknik familjar fundjavave, më së shumti për festat e pranverës dhe 1 Majit.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi sjell bukuritë natyrore të zonës, duke shpjeguar se ujëvara është vetëm pak km larg qendrës së qytetit të Fierit. “Një bukuri natyrore që shumëkush mund edhe të mos e ketë dëgjuar, por ata që e kanë vizituar kanë mbetur të mrekulluar”, – shprehet Subashi.
Ujëvara e Hinkës gjendet në zonën kodrinore juglindore të qytetit të Fierit, e fshehur përfund vargut të kodrave të Peshtanit. Ajo është rreth 20 metra e lartë dhe ujërat që rrjedhin në shtratin e saj vijnë nga burimet përreth. Ujërat e këtij përroi derdhen në Frakull të Madhe dhe më tej në lumin Vjosë.
Si të shkosh në Ujëvarën e Hinkës? Për të shkuar aty, duhet të ndjekësh itenerarin e rrugës së Vlorës, qafën e Koshovicës, duke devijuar në perëndim te kodrina e Peshtanit. Është vetëm 7 km nga qyteti i Fierit.
Fillimisht shkon në Peshtan të Vogël, ngjitesh tek Guri i Gjatë dhe zbret poshtë Përroit të Orizit, i cili lidhet me përroin më të madh, atë të Palcit. Ujëvara e Hinkës është pikërisht në vendin ku bashkohen këta dy përrenj.
Rruga tjetër që të çon në këtë Ujëvarë është ajo që shkon nga lagjja e Cervanakëve, në Peshtan të Madh, e cila zbret drejt deri në përrua duke kaluar më parë një malore pak të vështirë.
Qetësia e liqenit të vogël, pyjet me pisha të egra dhe më tej ujëvara e Hinkës, janë një vend ideal për një shëtitje alpine, apo një fundjavë ndryshe, shkruan ata./ KultPlus.com