Ujëvara e Mirushës kaplohet nga mbeturinat (FOTO)

7 Shtator, 2018 - 5:50 pm

Ujëvarat e Mirushës janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”.

Në këtë park, lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐hidrologjik.

Kjo bukuri e rrallë natyrore që gjendet në vendin tonë, është kapluar nga mbeturinat.
Ndonëse i përket kategorisë “Peizazh i mbrojtur”, ajo sot gjendet e kapluar nga mbeturinat.

Disa fotografi të shpërndara nga Sali Shoshi, e tregon më mirë pamjen në të cilën gjendet vendi.

Ujëvarat e Mirushës janë shpallur Park Regjional i Natyrës në vitin 1982/83 nga Komuna e Malishevës, me sipërfaqe prej 555.80.70 ha. Ndërsa Qeveria e Republikë së Kosovës në vitin 2012 nxjerr vendim për shpalljen e Ujëvarave të Mirushës Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë me sipërfaqe te përgjithshme prej 598.4 ha.

Kanioni i Mirushës është një ndër zonat më interesante të natyrës së Kosovës. Lumi Mirusha në pjesën e poshtme të rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanioni i lumit Mirushë. Në këtë pjesë të kanionit janë 16 ujëvara me liqene që e përbëjnë pjesën më atraktive të kanionit.

Në Monumentin e natyrës me rëndësi të veçantë “Ujëvarat e Mirushës” në distancë rreth 300 m, nga Liqenet e Kanionit Mirusha është ndërtuar një objekt hotelier me material të fortë i cili bie në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së natyrës. Investitori nuk posedon mendim profesional dhe leje ndërtimi nga organet përgjegjëse të MMPH-s.

Në vitin 2010 është hapur rruga nga Kuvendi Komunal i Malishevës, pa respektimin e procedurave ligjore dhe profesionale, e cila ka ndikuar në rrëshqitjen e materialit shkëmbore dhe degradimin e peizazhit natyror rreth kanionit. Hapja e rrugës deri në afërsi të liqeneve, ka mundësuar fillimin e ndërtimeve ilegale, fluksin e madh të makinave si dhe ndotjen ujit në lumin Mirusha. Numri i madh i makinave paraqet shqetësim serioz në degradimin dhe ndotjen e vlerave natyrore të zonës. Veprimet e tilla ndikojnë drejtpërsëdrejti në humbjen e vlerave të rralla të gjeodiversitetit, biodiversitetit si dhe ndikojnë në ndotjen e lumit Mirusha. Problem mbetet mosthemelimi i organit menaxhues për Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat e Mirushës”, siç parashihet me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës (neni 77).

Ujëvara e Mirushës, ndodhet ne fshatin Llapçevë të Komunës se Klinës. /KultPlus.com


Të ngjajshme