22 Qershor, 2024 - 12:59 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau online një album fotografik të një prej monumenteve të kulturës që ndodhet në zonën e thellë të Pogonit, pranë fshatit Hllomo në Bashkinë Dropull. Bëhet fjalë për Urën e Kaçarellos, Monument Kulture, Kategoria I, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj.
Në Pogon rruga nga Sopiku në Hllomo kalon mbi lumin e Kaçarellos mbi të cilin ngrihet ura e Kaçarellos. Kjo urë është e ndërtuar me dy harqe me qemer rrethor. Harku kryesor i djathti, ka hapësirë drite 16 metra, mbi të cilin ura lartësohet. Qemeri i harkut kryesor është i dyfishtë 1,05 m.
Nga të dy ballët ky qemer ka nga tetë ganxha që lidhin gurët fqinjë për të mos lejuar shkëputjen tërthore. Harku i majtë është po rrethor me qemer të dyfishtë (0,90 m) dhe me hapësirë drite 8m.
Këmba ndërmjet dy harqeve në pjesën e poshtme nga të dy anët është trajtuar me majë, për çarjen e rrjedhës së ujit. Në pjesën e sipërme të këmbës, nga të dy anët, janë hapur dy kamare për mbishkrime por në to nuk ruhet gjë. Këmba është e punuar me pllaka shtufi me trashësi të vogël, me fuga thuajse të rregullta.
Gjatësia e urës gjatë kalldrëmit arrin 36 metra. Kalldrëmi me gjerësi 2,9 m është punuar me pllaka shtufi të vendosura këlliç të ndërprera cdo 80 cm, me shkallëzime tërthore. Kalldrëmi është i siguruar anash me parapet tipik të kohës së Ali Pashë Tepelenës, kollona guri 0,80 m të larta të ngulura cdo 0,50 m në murin e qemerit të urës e me hapësirën midis tyre të mbushur. / KultPlus.com