18 Shkurt, 2023 - 12:30 pm
Punimet për restaurimin e urës së Kurçajt në Krujë, e cila ishte dëmtuar nga tërmeti, kanë përfunduar.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të punimeve, u shpreh se, “e ndërtuar në shek. XVIII si pjesë e rrugës së karvanëve që lidhte Krujën me Tiranën, tashmë Ura e Kurçajt është një pikë lidhjeje me historinë”.
“E dëmtuar nga tëmeti i vitit 2019, falë programit EU4CULTURE dhe UNOPS, kjo urë-monument kulture u restaurua dhe është tashmë një atraksion turistik kulturor, në simbiozë me natyrën e mrekullueshme”, theksoi Margariti.
“Bashkë me përfaqësuesin e BE, Alexis Hupin, UNOPS dhe banorëve të zonës përuruam në mënyrë simbolike përfundimin e punimeve”, u shpreh ajo.
Margariti nënvizoi se, “ura u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe u restaurua në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”.
Në mungesë të burimeve të sigurta historike, historianët besojnë se Ura e Kurçajt është ndërtuar në shekullin XVIII, kohë kur u ndërtuan shumë ura të reja në të gjithë Shqipërinë për të lidhur qendrat kryesore tregtare.
Ura e Kurçaj ndodhet në lumin Zezë në fshatin Kurçaj dhe ishte pjesë e një rruge të hershme karvanësh midis Krujës dhe Tiranës. Në vitin 1984 ura u shpall monument kulture kombëtar i kategorisë së parë dhe mbahet si dëshmi historike e arritjeve inxhinierike të kohës. Sot, ura është një vend i trashëgimisë historike dhe kulturore që lidh rrugët vendase. Aktualisht, ura nuk është e përshtatshme për asnjë lloj transporti dhe mund të vizitohet vetëm në këmbë. /atsh/ KultPlus.com