8 Korrik, 2020 - 12:58 pm
Bashkia Klos fton qytetarët, turistë vendas dhe të huaj të vizitojnë një nga qendrat urbane që ofron bukuri natyrore dhe madje ka dhe një kryevepër të shekullit XVIII, siç mund të cilësohet Ura e Vashës.
Klosi ndodhet 20 kilometra nga qyteti i Burreli dhe 116 kilometra nga Tirana në gjurmën e vjetër dhe rrugën aktuale, por me rrugën e Arbrit, Klosi mund të quhet edhe një “lagje” e Tiranës.
Bashkia e Klosit, duke iu abshkaur thirrjes “Pusho shqip”, ftoi turistët të vizitojnë Urën e Vashës, e stolisur me kalldrëm dhe që varet mbi lumin Mat me një hark gjysmë rrethor.
Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë që shoqërohet nga një shpat malor.
Metoda e ndërtimit të urës është me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djathtë dhe një dritare shkarkuese. Gjatësia e urës është 11m, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7m, gjerësia 2.8 m dhe largësia mes dy këmbëve është 7m.
Ura vizitohet nga shumë turistë shqiptarë e të huaj dhe është një nga pasuritë e trashëguara të kësaj treve e ndërtuar si vepër bamirësie nga familja Skura.
E ndodhur pranë rrugës së Arbrit, kjo urë mbart vlera të mëdha historike në një peizazh të mrekullueshëm natyror. Ura e Vashës është një ndër urat më të vjetra, të këtij stili të ndërtuar në Shqipëri. Pikërisht në afërsi të Urës së Vashës, është ndërtuar ura më e madhe të Rrugës së Arbrit që lidh dy shpatet e malit.
Rruga e Arbrit ka gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe bashkon fshatin Fshat me Planin e Bardhë, në Bashkinë e Klosit, si për të thënë se historia përsëritet. Në shekuj një urë që jeton dhe sot për të dëshmuar rëndësinë e lidhjes së kësaj treve me qytetërimin dhe sot një urë një ndër më të mëdha në vend që do zhvillojë zonën.
Rruga e Arbrit, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, por në fillim ndalon në Klos
Klosi është bashkia që puqet me lumin Mat një nga ultësirat më prodhuese të Matit, e ndarë nga lumi në mes dy maleve, mali i Gurit të Bardhë që sheh Tiranën dhe mali i Allamanit, apo Balgjajt që ka bukuri natyrore të papara, liqene akullnajore dhe bimësi të harlisur. /atsh/ KultPlus.com