3 Shkurt, 2020 - 10:25 am
“Ura mesjetare e Gurit” në Grabovë të Gramshit, e ndërtuar në shekullin XVII do ti nënshtrohet së shpejti restaurimit.
Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar ditët e fundit projektin e restaurimit për këtë urë.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë dhe estetikë të urës.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
“Ura Mesjetare e Gurit” ndodhet në fshatin Grabovë e sipërme në rrethin e Gramshit. Ura ndodhet rreth 115 metra larg në juglindje të kishës së Grabovës. Monumenti është ndërtuar rreth shekullit XVII dhe cilësohet si një monument i tipit “me një qemer”. Në ndërtimin e kësaj ure është përdorur guri gëlqeror i zonës.
Grabova është një nga vendbanimet më të hershme në Shqipëri, i krijuar në shekullin e X. Sipas gojëdhënave, në kohën e lulëzimit, Grabova kishte rreth 2000 familje dhe një e katërta e saj, e ka braktisur zonën brenda një dite në shekujt XVII-XVIII/ATSH / KultPlus.com