23 Qershor, 2018 - 1:41 pm
Politikanët shqiptarë kanë ndarë kohën e tyre për të uruar ekipin e Zvicrës për fitoren e tyre ndaj Serbisë, mbrëmë, ku golashënues ishin dy shqiptarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.
KultPlus ju sjellë reagimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Shpend Ahmetit, Albin Kurtit, Kadri Veselit, Erion Veliaj dhe Edi Ramës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaci në urimin e tij ka shprehur edhe dashurinë që ka Kosova ndaj Xhakës dhe Shaqirit duke ju thënë: Kosova ju don!
Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli i cili ka shikuar ndeshjen nga Prizreni së bashku me tifozë të tjerë, ka shkruar “Faleminderit djema për këtë fitore” duke ndarë një fotografi ku shihen Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka duke bërë shqiponjën pas shënimit të golave. Më të njëjtën fotografi ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili këtë fotografi e ka cilësuar si fotografinë e ditës.
Natën e mbrëmshme e ka konsideruar të paharrueshme kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në anën tjetër kryetari i Bashkësisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë më miqtë e tij fotografitë e realizuara në Sheshi Skënderbej gjatë lojës Zvicër-Serbi, rezultati i së cilës ishte 2:1.
Një shkrim më të gjatë për këtë mbrëmje ka ndarë Albin Kurti sipas të cilit paraqitja e Xhakës dhe Shaqirit iu ka dhuruar nga pak dinjitet shqiptarëve.
“Shqiptarët, si çdo popull, kanë mundësi të nxjerrin talente të nivelit botëror. Por terrenin për zhvillim deri më sot këto talente e kanë gjetur vetëm në tokë të huaj, në mërgim. Jemi ne, është Lëvizja ajo që ka detyrën të krijojë terrenin e përshtatshëm për zhvillimin e talenteve. Sa i përket sporteve, detyra jonë ka për të qenë ndërtimi i hapësirave bashkëkohore për stërvitje e lojë, masivizimi i sportit amatorial dhe specializimi serioz në sportin profesional, dhe kujdesi për talentet. E sigurisht, në aspektin politik, do të përpiqemi të punojmë për bashkimin e kampionateve me Shqipërinë, me synim përfundimtar edhe njësimin e kombëtareve. Vetëm ashtu do të mbërrijmë që t’ua mundësojmë talentëve tanë që ta përjetojnë atë sukses e atë gëzim edhe për atdheun e vet. Së dyti: Shumë politikanë që bëjnë politikë pazaresh dhe kontrabandë me Serbinë, që kanë dëmtuar vazhdimisht Kosovën me pjesëmarrjen në negociatat pa parime, sot po ekzaltohen pse kombëtarja e Serbisë humbi lojën. Kinse patriotë? Hipokrizi”, ka shkruar ai. / KultPlus.com