30 Maj, 2019 - 12:00 am
Nga Erald Kapri
Selaudin Blloshmi konsiderohet një prej ushtarakëve më të talentuar shqiptarë me një kontribut të madh në historinë e Shqipërisë.
Djali i Hajdar Blloshmit, firmëtarit të pavarësisë që përfaqësoi zonën e Pogradecit, Blloshmi u edukua në Francë dhe Egjipt në shkolla ushtarake. Tepër i ri, Blloshmi u kthye në krahun e djathtë të Themistokli Gërmenjit në themelimin e Republikës së Korçës, dhe në 1920, ai do të ishte protagonist në shtrirjen e autoritetit të qeverisë së Kongresit të Lushnjës që kulmon me firmosjen e Protokollit të Kapshticës, një triumf i shqiptarëve në raport me Greqinë.
Selaudin Blloshmi do të jepte kontribut më tej në ushtrinë shqiptare por edhe në diplomaci. Ai shërbeu në vitet 1926-1928 si ambasador i Republikës Shqiptare në Rumani, e më pas do të kthehej në krahun e djathtë të Mbretit Zog në organizimin e ushtrisë shqiptare.
Por ushtaraku i rrallë shqiptar njihet edhe për sharmin e tij me të cilin bëri për vete gruan më të bukur shqiptare, Sarah, mbesën e Ismail Qemalit. Nga martesa e tyre lindi Vera, një piktore me famë ndërkombëtare gjatë jetesës së saj në Britaninë e Madhe. Çifti Selaudin dhe Sarah Blloshmi u kthyen çifti më i famshëm në Shqipërinë e viteve 20-30, duke u kthyer në simbol të emancipimit të shoqërisë.
Selaudini u nda shpejt nga jeta në fillim të viteve 30. Gjithashtu, familja e tij pësoi drama të shumta. Dy vëllezërit e tij u vranë nga komunistët në luftë, mes tyre edhe Haki Blloshmi, ndër të paktët shqiptarë që kishte studiuar në Universitetin e Harvardit për shkenca politike e që kishte shërbyer për pak kohë si sekretar i Fan Nolit.
P.S. Në foto Kolonel Selaudin Blloshmi, në një paradë ushtarake të mbretërisë të sapoformuar shqiptare; nga arkivi i familjes Pietro&Larissa Quarone, dhe Sarah Blloshmi me të bijën,Vera./Mapo.al/KultPlus.com