11 Gusht, 2017 - 10:53 am
Shkruan: Driada Matoshi
E dua natyrën. Më shumë se çdo gjë tjetër. E di që edhe ti e do. Ndalu e mendo: sa herë të ka shkuar mendja me ik nga aty ku je, e me humb diku në mal?
“Kishim shku në Gërmi nesër… Jam lodh prej këtij pluhuri… Sa shumë më kish pëlqye me e pasë një kasolle të vogël diku në periferi…!?”, janë shprehjet më të shpeshta që i kam dëgjuar kohëve të fundit, që më kanë shtyrë të mendoj më shumë për t’u larguar nga rutina urbane.
Pse nevoja me u lidh më tepër me natyrën po bëhet çdo ditë e më e madhe? Çka po na mungon? Pse po ndihemi kaq të zbrazët? Dhe, pse jemi zhytur në dembellëk sa përtojmë të dalim nga kjo amulli psikike e fizike?
Prej lodhjes së vazhdueshme e kisha përshtypjen se trupi po më zvogëlohet, sikur po bën përpjekje të futet në thellësi të tokës. S’ke si ndihesh ndryshe kur rutina e ushtrimeve të domosdoshme fizike nuk ekziston fare, kur ushqimin që konsumon nuk është i mirë (plus e ha jo me rregull), gjumi është i parregullt e numri e cigareve e alkoolit në rritje… Qëndrimi i gjatë në karrige, parametrat shqetësuese të papastërtisë së ajrit, ushqimi i kontaminuar, shkëputja totale e marrëdhënieve me natyrën, mungesa e lëvizjeve… janë e përditshmëria jonë!
Lodhja e shpeshtë e humbja e energjisë janë shenjat e para që trupi i jep kur kërkon vëmendje. Kështu të paktën ka ndodhur me mua. Këtë “alarm” e perceptova si shkëndijë për ndryshim. Hapi i parë: e lash cigaren; i dyti: dola në vrapim. Pas tri javësh vërejta se ndihem më mirë. Nuk doja t’i kthehesha më rutinës së vjetër. Lëvizja, ushtrimet fizike, përmirësimi i qarkullimit të gjakut ma kanë kthjell edhe trurin.
Ndryshimet e mira për veten e për rrethin i bën këmbëngulja. E, frymëzim të madh për të vazhduar tutje është Uta Ibrahimi, shoqja ime e fëmijërisë. Ajo më nxiti në ngjitjen time të parë, në majën e Rudokës të vargmaleve të Sharrit. Me neve ishin plot të tjerë, kush më shumë e kush më pak entuziast në ngjitjen e majave.
Në pikë të vapës, ishim në mbi 2,500 metra lartësi. Kur arritëm te liqen i Shumanit, i ngritëm tendat për kamping, joga e vështrim të yjeve e të Hënës me teleskop. Sa më lartë ngjitesha, sa më shumë lodhesha, aq më shumë këndellesha dhe merrja frymë më lehtë.
Në vargmalet e Sharrit has në stanet e barinjve që rrinë aty deri në tetor. Rrugës mund t’i takosh ata, në këmbë apo në kalë, duke pasuruar edhe më shumë panoramën dhe koloritin magjik të Sharrit. Sytë sikur pushojnë, e burimet e freskëta ta flladitin më shumë trupin e shpirtin.
E kisha një libër me vete. Në një kapitull të tij flitej për kohën reale dhe atë imagjinare në letërsi; se si në atë hapësirën kohore imagjinare, që e krijon autori, personazhet kthehen prapa në kohë, vizitojnë të ardhmen apo edhe e injorojnë konceptin kohë; se si vetëm ata mund ta gëzojnë lirinë që njerëzve prej mishi e gjaku u mohohet. Mendova me veti: nëse vërtetë do të zhdukësh për pak lidhjen tënde me kohën, me oraret, me detyrat, me qëllimet, me përgjegjësitë ditore, e me ia dorëzua veten natyrës duke qenë tamam vetja jote… nisu për në mal. Menjëherë. Lë të të ngjajë vetja me Oskarin e Gunter Grassit i cili vendos të mos plaket, ta mund kohën e ta sfidojë vdekjen!
Arsyeja e mos lëvizjes nuk është plakja, por plakja është pasojë e mos lëvizjes. Shembullin më të mirë e kisha në Sharr, mes njerëzve të grupit të ngjitjes. E pyeta njërin sa vjeç është. Ai burrë me dukjen dhe energjinë e një 25-vjeqari, që shumicën e kohës printe në ecje, më ktheu qetë: 52! Takova edhe nga ata që rrugën e bënin më me shumë vështirësi, por që entuziazmi për të arritur deri në majë nuk u mungonte. Të gjithë ne e sfidonim veten dhe relativitetin e kohës në lartësi.
Ndalesat për pushim i shfrytëzonin në maksimum. Uta kujdesej për secilin, jo vetëm me ofrimin e ndihmës me pajisjet, por edhe me fjalë motivuese. Pasi u ngjitëm në mbi dymijë metra lartësi, bota rreth e rrotull nesh u bë e vogël. Nga ana e majtë e horizontit ishte Korabi shkëmbor, Gjallica e Koretniku përball nesh, në veri Pashtriku… Secili nga ne përfitonte nga pamja që na rrethonte, duke u zhytur thellë në meditim e duke u çliruar nga energjitë e dëmshme.
“Me raste shpejtojeni hapin, me qëllim që t’ia ndryshoni ritmin zemrës, për të hapur kanalet e qarkullimit. Kur të keni mundësi, hiqini këpucët dhe mbani kontakt të drejtpërdrejte me tokën, që ta arrini procesin e tokëzimit – proces esencial për të rikuperuar energjitë trupore”, këshillonte Uta.
Një Zot e di se sa kohë ka kaluar që nga tokëzimi im i fundit. Ndoshta 15 vite kam që nuk jam lidhur drejtpërdrejt me tokën e natyrën, me momentin kur bëhesh i vetëdijshëm për potencialin e trupit dhe mendjen dhe për atë se çka ti mund t’u ofrosh të tjerëve.
Duke ecur, duke marrë informacione për jetën e shëndetshme, e duke planifikuaar aktivitete të tjera, e gjetëm vetën në majë të Rudokës. Është ndjesi e fuqishme dhe emocion i veçantë të qëndrosh në lartësi të tillë e ta shohësh të vogël krejt poshtë, si një maketë, Tetovën e shtrirë buzë vargmaleve të Sharrit.
Qytetin e ruanin retë e bardha, që lëviznin me ritëm të ngadaltë e organik, e shndërroheshin si në figura kafshësh. Të gjithave ua ngjisnim nga një emër. Retë pastaj ngadalë e linin të lirë Diellin, që na vinte pranë – më i bukur e më i ngrohtë se kurrë.
Rudoka është e magjishme. Por, akoma me i magjishëm është momenti kur njeriu e kupton se është shndërruar në inspirim për njerëzit e tjerë. Ndihem e realizuar me këtë ndërmarrje. Ndihem mirë që e kisha pranë Utën, që na shtyn t’i kthehemi natyrës, jetës së shëndetshme, ushqimit të mirë, e gjërave bazë për të cilat ka nevojë trupi e mendja jonë.
Uta më inspiroi që të ngjitem në Rudokë. Gjithçka e mirë dhe pozitivë për mua, nisi mu aty. Provojeni edhe ju.