12 Mars, 2018 - 11:10 am
Kampanja për mbledhje të fondeve për pushtimin e 14 majave të Himalayave nga alpinistja Uta Ibrahimi përmes platformës Kosova Ideas, ka arritur fundin.
Me një rekord të mbështetësve, nga e gjithë bota, shuma e arritur nga kjo iniciativë është rreth 9 mijë euro, dhe do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve të ekspeditës për pushtimin e majës Locte dhe Kanchenjunga që fillojnë në Prill të këtij viti dhe mbarojnë në Qershor.
Gruaja e parë Shqiptare që e ngjiti Everestin Uta Ibrahimi po vazhdon përgatitjet fizike dhe psikike edhe për tri javë të mbetura, duke u ndjerë më shumë se asnjëherë e motivuar për realizimin e ëndrrave, pikërisht falë përkrahjes që ka gjetur nga shumë njerëz që besojnë në këtë projekt.
Bota ka nevojë të njihet me malet tona, me dashurinë tonë për natyrën, kjo është arsyeja pse unë dua të ngjisë me sukses edhe 12 majat e mbetura në Himalaye, shprehet Uta.
“Gjithashtu, si alpiniste grua dua të ngre vetëdijen edhe për çështjet gjinore në shoqërinë tonë. Po, është e mundshme që një grua shqiptare të ngjitet në Mont Everest, majën më të lartë të botës. Dua të motivoj sa më shumë vajza që të arrijnë të ngjiten në male dhe maja. Dua të sjell shpresë, t’i frymëzoj njerëzit për t’i pushtuar majat e tyre, pavarësisht se çfarë sfidash personale mund të kenë”, ka thënë Uta.
Me moton “Për popullin tim, malet e mia” Uta falënderon të gjithë 103 donatorët si dhe platformën Kosova Ideas e cila ia dha mundësinë me e lancu projektin për mbledhjen e donacioneve si dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë projektit, dhe njerëz e bashkëpunëtorë të tjerë që në forma të ndryshme e kanë ndihmuar kampanjën, duke u shprehur përjetësisht mirënjohëse për këtë përkrahje, pa të cilët do të ishte shumë e vështirë realizimi i krejt kësaj pune.
Projekti për pushtimin e 14 Majave në Himalaye ka filluar muaj me parë dhe do të përfundojë në vitin 2023 atëherë kur alpinistja Ibrahimi do të tentojë majën e 14-të./ KultPlus.com