Vajzat kosovare sjellin në Kosovë ngjarjen më të madhe në botë për programimin e lojërave

26 Janar, 2019 - 10:52 pm

Të pajisur me laptopë dhe çanta për fjetje, 30 programues kanë filluar në ‘Girls Coding Kosovo’ për 48-orë pa ndërprerje, krijimin e pesë lojërave të ndryshme bashkë me ekipet e tjera anembanë botës që nga mbrëmja e së premtes.

Ngjarja më e madhe e krijimit të lojërave në botë, ‘Global Game Jam’, do të mbahet për herë të parë në Prishtinë nga ‘Girls Coding Kosovo’, GCK, këtë fundjavë.

Loja globale “Jam”, një referencë për sesionet e improvizuara muzikore, sjell së bashku rreth 30 pjesëmarrës me synimin që së shpejti të krijojnë pesë prototipa të ndryshëm të video lojërave në më pak se dy ditë, duke provuar ide të reja dhe duke sjellë frymëzim në industrinë e lojrave.

Alborita Mehana, koordinatore e projektit për GCK, shpjegoi se çfarë ndodh gjatë ngjarjes së ‘Jam Global Game’, i njohur gjithashtu si një ‘hackathon’.

“Një ‘hackathon’ është një ngjarje e projektuar si sprint ku programuesit kompjuterikë dhe të tjerë të përfshirë në zhvillimin e softuerit, duke përfshirë dizajnerët grafikë, dizajnuesit e ndërfaqeve dhe menaxherët e projektit, bashkëpunojnë intensivisht në projekte softuerike”, tha Mehana.

‘Girls Coding Kosovo’ filloi në 2014 si një grup i vogël i vajzave të reja që takoheshin dhe ndanin përvojat e tyre në fushën e teknologjisë nga sektorë të ndryshëm si shkollat, universitetet dhe vetë industrinë, dhe ka vazhduar të rritet që atëherë.

Ajo tha se GCK po teston ujërat me këtë ngjarje për të parë nëse ka interes në zhvillimin e lojërave në Kosovë, me një synim drejt projekteve të ngjashme në të ardhmen.

“‘Global Game Jam’ fokusohet në zhvillimin e lojës”, tha ajo. “Është rritja e një ideje që në botën e sotme të lidhur shumë, ne mund të bashkohemi, të jemi krijues, të ndajmë përvojat dhe të shprehim veten në një mori mënyrash duke përdorur video lojëra – është shumë universale”.

Si një organizatë, ‘Girls Coding Kosovo’ synon të inkurajojë vajzat që të arrijnë potencialin e tyre të plotë akademik dhe profesional në fushat teknike. Rrjeti  i kësaj organizate përfshin të gjitha komunat në Kosovë dhe ka mbi 800 anëtarë të rinj aktiv të moshës 15 deri në 25 vjeç.

Sipas Mehanas, për shkak se misioni i GCK-së është të fuqizojë vajzat e reja në fushën e teknologjisë, organizata e saj ishte zgjidhja më e mirë për të mbajtur ngjarjen më të madhe të krijimit të lojërave në botë.

“Kjo ngjarje jo vetëm që do të na ndihmojë të promovojmë organizatën në Kosovë, por edhe përtej kufijve”, vazhdoi ajo. “Kjo ngjarje do të ndihmojë komunitetin tonë që të ketë përvoja të reja dhe sfida interesante për herë të parë në Kosovë”.

Mehana dhe ekipi nga GCK kanë punuar intensivisht për t’u përgatitur për ngjarjen.

“Të vetmet gjëra të tjera që na duheshin ishin një vend i ngrohtë, internet i mirë dhe një vend ku pjesëmarrësit mund të vendosnin çantat e tyre të gjumit – për ata që po qëndrojnë tërë natën duke koduar lojrat”, tha ajo.

Deri në fillimin e kësaj ngjarje, tema e lojërave që do të krijohen mbahen sekrete, ky informacion është dhënë të premten në ora  17:00, tha Mehana, dhe e gjithë ngjarja transmetohet në Mixer, një platformë drejtpërdrejtë për lojtarët që u lejon shikuesve të marrin pjesë në këtë ngjarje.

‘Global Game Jam’ është mbajtur në të gjithë botën në të njëjtën kohë, më së afërmi në Bullgari dhe më së largu në Japoni.

“Kjo bën të mundur që të shohim se çfarë po bëjnë vendet e tjera në botë dhe po ashtu bën të mundur që pjesa tjetër e botës të shohë atë që ne po bëjmë në të njëjtën kohë”, tha ajo.

GCK po punon vazhdimisht për të sjellë ngjarje për vajzat e reja dhe entuziaste në Kosovë për t’i inkurajuar ato që të kodojnë, të hapin kompani  ose të punojnë si krijuese të start up-eve të tjera emocionuese në vend, tha Mehana.

“Vizioni ynë është krijimi i një sektori të IT-së pa dallim gjinor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, duke rritur numrin e vajzave/grave të interesuara në teknologji dhe programim, duke zgjeruar numrin e vajzave që e konsiderojnë programimin si një profesion akademik ose komercial dhe duke inkurajuar ekspozimi të hershëm të vajzave të reja për kodimin dhe programim të softuerit”, tha ajo.

Mehana e konsideron GCK-në si shumë të rëndësishme për ndryshimin e situatës aktuale në industrinë e teknologjisë dhe programimit.

“Teknologjia po bëhet pjesë e rëndësishme e jetës sonë të përditshme”, tha ajo. “Ka shumë fusha që lidhen me teknologjinë, interneti, telefonat e mençur, media sociale. Ekziston një mungesë e dukshme e vajzave/grave që punojnë në mënyrë aktive në industrinë e teknologjisë. ”

Mehana u diplomua në vitin 2016 në shkencat kompjuterike nga Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë, UBT, në Prishtinë. Ajo filloi të merrte pjesë në të gjitha trajnimet dhe seminaret që GCK ofronte, të tilla si Techstitution, Tech4Policy dhe Girls in TIK.

“Duke qenë pjesë e këtyre trajnimeve, unë gjithnjë kam dhënë më të mirën në programim, duke punuar në grupe, duke ndihmuar të tjerët, shoqërimin me miqtë dhe kështu me radhë. Pas kësaj, kam marrë një ofertë për të punuar për Girls Coding Kosova si koordinatore i projektit për Code4 Mitrovica”, tha Mehana.

‘Code4Mitrovica’ mblodhi së bashku 10 vajza serbe dhe 10 shqiptare në mes të Mitrovicës, duke u mësuar atyre bazat e shkencës kompjuterike dhe zhvillimit të uebit. Pavarësisht se ishte një sfidë, tha Mehana, ai shkoi më mirë se që e kishim planifikuar ne.

“Si person, gjithnjë më pëlqente të sfidohesha dhe të shkëmbeja njohuri me të tjerët, dhe Girls Coding Kosova ka nxjerrë më të mirën nga unë”, tha Mehana. “Është ajo ku unë kam gjetur se gjithçka që ka rëndësi është gjetja e lirisë për të ndihmuar të tjerët, siguron një ndjenjë qëllimi, veçanërisht duke ndihmuar vajzat në fushën e shkencave kompjuterike”./Kallxo.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme