20 Janar, 2019 - 9:57 am
Valbona të emocionon në çdo stinë, por nën vellon e dëborës të ofron një peizazh mahnitës dhe merr një tjetër nur.
E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë dimri që të zgjojnë shijen e dimrit me dëborë kudo në luginën e Valbonës, të magjeps bukuria e bardhësisë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një video të publikuar sjell bukurinë mbresëlënëse të Valbonës nën petkun e dëborës.
“Valbona e bukur turistike, e veshur me të bardha! Shqipëria, potencial i jashtëzakonshëm për tu shfrytëzuar për turizëm në të 365 ditët e vitit. Turizmi malor dhe ai i aventurës, prezantuar mes videove të postuara në rrjetet sociale, apo paketave nga operatorët turistikë, ftojnë turistët të zgjedhin Shqipërinë, si një destinacion për t’u zbuluar… nga bukuria”, shprehet Klosi.
Parku Kombëtar i Valbonës është një kompleksitet bukurish interesante, ashtu siç janë vetë Alpet Shqipëtare.
Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjve edhe e lumit të Valbonës.
E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjallë. Në hyrje të kufirit lindorë, në afërsi të Shoshanit, të impresionon një peizazh i rrallë për nga bukuria.
Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.
Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.
Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore,turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë./k.s/ KultPlus.com