1 Qershor, 2018 - 1:22 pm
Festivali “Mirëdita, dobardan” sot po vazhdon ditën e tretë të aktiviteteve në Beograd. Një festival tanimë tradicional, ‘Mirëdita DobarDan’ ka vite që prezanton artistët më të mirë nga Kosova për disa ditë të mbushura kulturë në Beogradin e Serbisë.
Anita Mitic- ish Drejtoreshë e Nisma për të Drejtat e Njeriut në Beograd mbrëmë para koncertit të asnamblit “Zanat” në Beograd tha se janë aty edhe për të nderuar njërin nga kontribuuesit e këtij festivali, ambasadorin e Kosovës në Beograd, Valdet Sadikun.
“Cdo person në Kosovë duhet të jetë krenar me Valdet Sadikun”, u shpreh Mitic para se t’ia dhurojë mirënjohjen duke e falënderuar për mbështetjen dhe kontributin e tij.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com