10 Qershor, 2019 - 4:32 pm
E mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë, tani aktiviste e zëshme për vënien e drejtësisë në vend për të dhunuarit gjatë luftës, Vasije Krasniqi – Goodman, drejtoresha e Qendrës për Promovimin e Drejtave te Grave, Kadire Tahiraj dhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, tanimë e kanë marrë epitetin e Ambasadoreve për Paqe, nën ombrellën e Universal Peace Federation, njofton AlbFem.
Kjo organizatë është themeluar në vitin 1992 dhe është zgjeruar në më shumë se 100 vende të botës, duke promovuar gratë si aktoret kryesore në ndërtimin e një shoqërie paqësore në nivel global.
“Ndër vite, gratë përmes edukimit, avokimit, partneritetit dhe iniciativave, qoftë brenda vendit, qofte në nivel rajonal apo botëror, kanë treguar vlerat dhe fuqinë e tyre për të qenë bartëse të shumë proceseve të rëndësishme jetësore, duke synuar të krijojnë një mjedis paqësor, familje të shëndosha dhe mirëqenie për gjeneratat e ardhshme dhe njerëzit në tërësi. Prandaj, titulli Ambasadore Paqeje është një inspirim dhe motiv për t’u angazhuar dhe kontribuuar për të kultivuar respekt për njëri-tjetrin, për të ndërtuar familje të shëndosha, aty ku çdo gjë fillon, sepse vetëm kështu mund te ndërtojmë një shoqëri ku secila nga ne do jetë e barabartë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Kujtojmë se Vasije Krasniqi – Goodman, Kadire Tahiraj, Feride Rushit, janë bërë zëri më i lartë i viktimave të luftës në Kosovë, të cilat po e tregojnë realitetin e asaj që ka ndodhur kudo nëpër botë.