Vatikani ia kthen Greqisë skulpturat e Partenonit

25 Mars, 2023 - 11:15 pm

Vatikani ia ka kthyer Greqisë tri fragmente të skulpturave të Partenonit, në një lëvizje që u përshkrua si një “gjest miqësie”.

Vendimi për kthimin e mermerëve 2500-vjeçare u njoftua nga Papa Françesku vitin e kaluar.

Njëra është një copë kokë kali, tjetra është një burrë me mjekër dhe e treta një kokë djali.

Greqia shpreson se kjo masë do t’i nxisë institucionet e tjera jashtë shtetit që mbajnë skulptura të Partenonit t’i kthejnë ato.

Rreth 50% e skulpturave origjinale të Partenonit kanë mbijetuar dhe pothuajse gjysma e tyre ndodhen në Muzeun Britanik.

“Dëshira ime personale nga zemra është që kjo nismë të imitohet nga të tjerët. Papa Françesku tregoi se kjo është e mundur dhe domethënëse,” tha kreu i Kishës Ortodokse Greke, Kryepeshkopin Ieronymous

Mermerët kishin qenë në muzetë e Vatikanit për shekuj.

Por Greqia është përpjekur t’i rimarrë ato nga Vatikani dhe koleksionet e tjera evropiane që nga fillimi i shekullit të 20-të.

Në fillim të viteve 1800, dhjetëra mermerë u morën nga Partenoni i Greqisë me urdhër të fisnikut skocez Thomas Bruce, i njohur si Lord Elgin.

Më pas ai ia shiti mermerët qeverisë britanike, e cila më pas i ekspozoi në Muzeun Britanik.

Muzeu Britanik nuk lejohet me ligj të kthejë përgjithmonë veprat e artit në Greqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme