10 Dhjetor, 2017 - 12:18 pm
Edhe pse në nëntor të vitit 2017-të, ministri i Ministrsisë së Kulturës, Rinis dhe Sportit në Republikën e Kosovës, nënshkroi vendimin për përfshirjen e ShKA Agimi nga Prizreni në Listën e Trashëgimisë Kulturore, degradimi brenda kësaj ndërtese nuk ka të ndalur, njoftojnë nga Shoqata Kulturore Agimi, përcjell KultPlus.
Sot në një komunikatë për medie, kjo shoqatë ka paraqitur edhe njëherë shqetësimet e tyre në lidhje me degradimet e ndryshme që po i bëhen kësaj ndërtese, siq thonë ata nga një grup i vogël individësh.
Po sjellim njoftimin e plotë të ShKA Agimi:
Gjatë muajit nëntor 2017, ministri i kulturës nënshkroi vendimin për përfshirjen e ndërtesës së ShKA Agimit në Listën e Trashëgimisë Kulturore. Ky ishte edhe një veprim konkret i yni në përpjekje për të shpëtuar ShKA Agimin. Megjithatë, veprimet degraduese të një grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm nuk kanë të ndalur. Ky grup që ka zaptuar ndërtesën e ShKA Agimit dhe ka përjashtuar qindra anëtarë pa përfillur asnjë procedurë, ka vazhduar me veprime klandestine dhe degraduese ndaj Agimit. Të vetëshpallur “Kryesi e Agimi”, këta individë kanë vazhduar të marrin vendime në kundërshtim me të gjitha procedurat e brendshme të Shoqnisë dhe ligjet e Kosovës që rregullojnë sektorin e shoqërisë civile. Në veprimin e radhës absurd dhe joligjor, në mesin e tyre kanë shpallur një tjetër person “Kryetar” të ShKA Agimit. Ky veprim është veçse vazhdim i avazit të vjetër, ku një Kryesi fiktive, e dalë nga një Kuvend klandestin dhe jolegjitim vazhdon të luaj zgjedhjesh dhe të kontribuojë edhe më shumë në degradimin e Shoqnisë.
Në anën tjetër, shumë dashamirë të ShKA Agimit dhe qytetarë të Prizrenit kanë publikuar dëshmi të degradimit kulturor që po ndodh brenda ndërtesës së Agimit. Ky grup i vogël individësh të papërgjegjshëm dhe zaptues, pas tentativës së vitit të kaluar për të tjetërsuar pronën e Agimit përmes një marrëveshje joligjore, tani kanë shndërruar hapësirën e Shoqnisë në kafene burrash ku kultivohet tallavaja. Në video dhe fotografi të publikuara ditëve të fundit shihen pamje dhe dëgjohen tinguj që asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e ShKA Agimit përgjatë historisë së saj 73 vjeçare. Dëshmitë e këtij degradimi kulturor (videot dhe fotot) mund t’i shikoni në këto:
https://goo.gl/mtAW9A dhe https://goo.gl/qRQnzu.
Ne kërkojmë nga Ministri i Kulturës, që në pajtim me autorizimet e tij ligjore dhe në përputhje me vendimin për të shpallur ndërtesën e Agimit aset të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të shtetit, të ndërmarrë veprime institucionale për të adresuar këto shqetësime. Shpallja e një ndërtese aset i trashëgimisë kulturore nënkupton një numër detyrimesh dhe kufizimesh, gjithnjë për t’u siguruar që vlerat për të cilat është bërë shpallja do të mbrohen. Në rastin e ndërtesës së ShKA Agimit, ku janë publikuar dëshmi të qarta të degradimit, janë duke u cenuar vlerat më fondamentale të trashëgimisë kulturore. Prandaj, reagimi urgjent institucional është një domosdoshmëri për të ndërprerë këtë praktikë degraduese dhe për të iniciuar një plan të mirëfilltë menaxhimi për ndërtesën, në përputhje me parimet dhe kriteret për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Përpjekja jonë për të shpëtuar ShKA Agimin nuk do të ndalet. Jemi të përkushtuar në angazhimin tonë të përbashkët dhe nuk do të ndalemi derisa zaptuesit të largohen nga ShKA Agimi dhe ndërtesa e saj.
Me respekt,
Kryesia e ShKA Agimit (Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha)./ KultPlus.com