17 Nëntor, 2017 - 12:57 pm
Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon. Sipas zyrtarëve të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, rasti i fundit i kësaj natyre po ndodh në objektin përballë Xhamisë së Sinan Pashës.
Zyrtarët e QRTK-së thonë se për objektin në fjalë nga organet kompetente është lëshuar leja për renovim të brendshëm dhe për rregullimin e kulmit, por se kjo leje nuk po respektohet gjatë kryerjes së punimeve. Gjithashtu pohojnë se 3 here brenda 2 javëve QRTK ka lajmëruar inspektoratin e Komunës së Prizrenit dhe se ky organ nuk ka reaguar lidhur me këtë rast.
EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit, gjë që bazuar në informatat e fundit nga QRTK-ja nuk po ndodh. EC po ashtu përkujton se drejtuesit e QRTK-së, vitin e kaluar konfirmuan se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.
Në vizitat e fundit në Prizren, udhëheqësit e ministrive të MMPH-së dhe të MKRS-së janë zotuar për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave në Qendrën Historike të Prizrenit. EC konsideron se është koha e fundit që këto institucione të veprojnë më konkretisht për zbatimin e legjislacionit për këtë zonë të mbrojtur dhe funksionalizimin e inspektoratit qendror, pasi që ai lokal deri më tani ka dështuar në vendosjen e rregullit në këtë hapësirë./ KultPlus.com