14 Tetor, 2022 - 8:00 pm
Është ndarë sot nga jeta arkeologia dhe prehistoriania e shquar shqiptare, profesoreshë Zhaneta Andrea.
Prof. Andrea lindi në qytetin e Korçës më 22.03.1937, në një familje intelektualësh dhe patriotike korçare.
Studimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, vijoi studimet universitare në Fakultetin Histori-Filozofi, dega Arkeologji, pranë Universitetit të Sofjes, në Bullgari.
Në vitin 1962 ajo iu bashkua grupit të parë të arkeologëve shqiptarë dhe ishte ndër ta e para grua që i dedikoi jetën akademike kërkimeve mbi prehistorinë shqiptare.
Aktiviteti i saj kërkimor përbën një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm, i cili ka përfshirë një gamë të gjerë temash kërkimore, duke filluar nga vendbanimet e Neolitit tek ritualet mortore të periudhës së Bronzit dhe të Hekurit.
Puna e saj e palodhur në terren është shtrirë në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, përmes pjesëmarrjes dhe drejtimit të një sërë ekspeditash arkeologjike, nga veriu në jug të vendit./atsh/ KultPlus.com