22 Mars, 2019 - 1:40 pm
Efterpi Skendi (Pasko), bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli është ndarë nga jeta. Gruaja që ruajti deri në fund të jetës sharmin e një bukurie të natyrshme, ku kultura përzihej me elegancën, ishte një ndër intelektualet e rralla. Gjithë jetën e saj ajo ia dedikoi përkujdesjes ndaj veprës të së shoqit bashkë me fëmijët. Në një nga intervistat e rralla që ajo dha për shtypin shqiptar kohë më parë, e tregonte kështu njohjen me shkrimtarin: ”Njohja me të ka qenë diçka e rastit. Për herë të parë jemi takuar në një vizitë te një miku ynë i përbashkët. Ka qenë pranvera e vitit 1945.
Aty filloi edhe lidhja, pastaj fejesa. Gati pas një viti, më saktë më 28 prill të vitit 1946, bëmë martesën. Dhimitri nuk bëri dasmë. Ai mori pjesë në ceremoninë që bënë njerëzit e mi në Korçë. Në atë kohë familja e tij kishte përjetuar disa fatkeqësi. Italianët i kishin vrarë babain dhe e kishin djegur bashkë me shtëpinë në Pogradec. Pas dasmës jetuam në shtëpinë që Mitrushi kishte marrë me qira te Shallvaret”. Kuteli i dedikoi asaj disa poezi të njohura, por dhe letra disa prej të cilave janë bërë publike.
Më poshtë po botojmë Testamentin që shkrimtari la për Efterpinë dhe fëmijët…
Testamenti për fëmijët: Duajeni vendin dhe gjuhën deri në vuajtje
E dashur Efterpi,
Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli.
Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrat e këqia. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minuta ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli.. Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili.
Vdekja është prehja e madhe, shkëputja nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike dhe shpirtërore. Që të dyja të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasoje e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç‘të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt. (…)
Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po të sjell. Ne u bashkuam, rrojtmë dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha.
Tani, ti e di.. I di ditët dhe netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobektësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë.
Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këta vjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija – shqip dhe rumanisht – janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër intereset vetiak.
Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda.
Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin.
Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike – në fushën ekonomike – në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.
Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht,veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve, sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër englezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar,aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.
Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë m i k, po vetëm k a p i t a l. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij – të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mija – të mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë. Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva – ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa – dhe shiko se ku arrita. Dëgjo! Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë. 1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua! 2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi. 3 (…) 4.
Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi.
Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë.
Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë. Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni! Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja.
Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi,butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë.
Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë. Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve.
Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit. (…) Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë. Yti, Dhimitraq 11 korrik,1966. Tiranë.(e hënë)
Gazeta Shqip