11 Shtator, 2017 - 9:09 am
Nancy Hatch Dupree, një eksperte e njohur amerikane për historinë, artin dhe arkeologjinë e Afganistanit, vdiq të sot në moshën 90-vjeçare, e sëmurë, në një spital të Kabulit.
Dupree shkoi fillimisht në Afganistan në vitin 1962, si bashkëshortja e një diplomati amerikan dhe ia dedikoi pjesën tjetër të jetës grumbullimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore afgane në vendin e shkatërruar nga lufta.
Në vitin 2013, ajo themeloi Qendrën Afgane në Universitetin e Kabulit, instituti i parë i këtij lloji në Afganistan, që u mor me studimin e historisë, kulturës dhe shoqërisë afgane. Nancy Hatch Dupree ishte drejtoreshë e qendrës deri vonë.
Në disa intervista që ka dhënë gjatë viteve për Zërin e Amerikës, Dupree pati thënë se krijimi i Qendrës Afgane në Universitetin e Kabulit ishte frymëzuar nga puna dhe vizioni i Louis Dupree-së, një arkeolog dhe studiues i njohur i kulturës dhe historisë afgane, për të cilin ajo la burrin e saj diplomat.
Çifti u strehua në Pakistanin fqinj, pasi u dëbuan nga Afganistani në vitin 1978 nga qeveria e atëhershme afgane, e mbështetur nga sovjetikët, që dyshonin se Louis ishte spiun amerikan.
Pas vdekjes së të shoqit, në vitin 1989, Dupree e vazhdoi deri në fund të jetës misionin e saj për ruajtjen e historisë afgane./ KultPlus.com