23 Dhjetor, 2018 - 11:58 am
Ish- emisari i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë, Paddy Ashdown, ka vdekur në moshën 77 vjeçare.
Ashdown, që udhëhoqi partinë Liberale Demokratike në Britani nga viti 1988 deri më 1999, vdiq të shtunën mbrëma, bëri të ditur një zëdhënës i partisë.
Vince Cable, lideri aktual i partisë, tha se “është një ditë tepër e trishtuar” për partinë dhe për të gjithë politikën “që kishin dashuri dhe respekt për Paddyn”.
“Ishte i njohur për politikat e tij, por talentet e tij ishin shumë më të gjera. Ai ishte një autor i kompletuar dhe kishte kaluar shumë vite duke shërbyer për vendin para se të hynte në politikë. Pak njerëz e dinë se sa shumë punoi që të futej në politikë pas shërbimit të tij ushtarak e diplomatik”, tha Cable, transmeton Koha.net.
Ashdown kishte shërbyer si emisar i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999, ndërsa ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Ai ishte në mesin e përfaqësuesve të parë të komunitetit ndërkombëtar që e kishte paralajmëruar Sllobodan Millosheviqin për krimet që po i kryente në Kosovë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës ndaj Millosheviqit i ndihmoi prokurorisë të demonstronte se Millosheviqi ishte i vetëdijshëm për krimet që po kryheshin nën komandën e tij kundër shqiptarëve të Kosovës, që ishte një prej elementeve ligjore të nevojshme për ta bërë atë përgjegjës për veprimet e vartësve të tij.
Paddy Ashdown, derisa ishte ftuar të dëshmonte kundër Millosheviqit në Hagë, kishte kujtuar takimin që kishte pasur me të më 29 shtator të vitit 1998 në Beograd në lidhje me krimet që i kishte parë se po kryheshin në Kosovë.
“Zotëri President, keni qenë shumë bujar me kohën tuaj, dhe nëse mund të them, po ashtu që më lejuat të vija në vendin tuaj. Më duhet t’i them disa fjalë të rënda për atë që kam parë [në Kosovë] por e dua popullin serb dhe nuk besoj se mund ta ndëshkoni një komb. Më duhet të ju them se komuniteti ndërkombëtar do të veprojë nëse nuk ndaloni. Ju, sipas vështrimit tim, jeni duke zbatuar një politikë që është krejtësisht kontra-produktive dhe po lejon prishjen e emrit të mirë të popullit serb. Ju përgjërohem të ndaloni këto veprime që ndotin përfaqësimin e vendit tuaj”, ia kishte kujtuar Ashdowni Millosheviqit në Hagë, çfarë i kishte thënë më 1998.
Ndërkaq, gazeta e fuqishme britanike, “The Guardian”, në artikullin e saj në lidhje me dëshminë e Ashdownit në Hagë të 16 marsit, 2002, kishte kapur një moment emocional, ku britaniku mezi i kishte mbajtur lotët kur kishte folur për luftën në Kosovë.
“Në një pikë, Lordi Ashdown luftoi me lotët teksa përshkroi pamjet që kishte parë të një kolone refugjatësh shqiptarë të Kosovës të cilët, siç tha ai, po iknin nga forcat e armatosura jugosllave pasi ishin sulmuar pa mëshirë me mortaja dhe u ishin djegur shtëpitë me themel”, shkruan “The Guardian”.
Derisa gjykata e kishte parë një video që shfaqte Lordin Ashdown duke i dëgjuar tregimet e refugjatëve, ish-lideri Liberal-Demokrat bëri një koment emocional teksa luftoi me lotët.
“E kisha shumë të vështirë të pajtohesha me këtë në atë kohë”, kishte thënë ai. “Ata ishin shumë të frikësuar dhe mu duk një pamje thellësisht e tmerrshme. [Ata ishin] në rimorkiot e traktorëve duke u strehuar nga shiu nën mburoja plastike. Ishin burra të moshuar, gra, fëmijë dhe bebe. Ishin të frikësuar sa s’ka më”, thoshte Ashdown në dëshminë e tij kundër Millosheviqit.
“Ju pata thënë se do të përfundoni në këtë gjykatë [nëse nuk ndalni spastrimin etnik] dhe ja ku jeni”, i kishte thënë Ashdowni Millosheviqit.