29 Korrik, 2018 - 11:30 am
Historia e pazakontë e një velenxe 123-vjeçare me vlera të rralla etnografike e historike që e lidhin me një prej veprimtarive të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Petro Meksin, i ngarkuar për të përndjekur veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit.
Ajo është e vitit 1895, në mos 1894 dhe vjen nga shtëpia e Petro Meksit, nga fshati Labovë e madhe, që i takon krahinës së Odrijes. Veç vlerës së viteve që mbart, plot njëqint e njëzetë e tre, ka edhe një tjetër, sepse është e njërit prej veprimtarëve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Petro Meksi ka qenë anëtar i asaj Lidhjeje historike, i ngarkuar për të ndjekur veprimtarinë e saj në zonat jugore të trojeve shqiptare.
Martesa e parë me Argjironë, vajza e Vangjel Zhapës, përfundoi nga vdekja aksidentale e saj. Atëhere Petroja u martua po në Labovë me Sotira Ikonomin, me të cilën pati disa fëmijë, ndër të tjera edhe gjyshen time nga nëna, Suzanën, apo Sanën, siç e thërrisnin shkurt.
Sana u martua në Erind të Lunxhërisë me Niko Notin, gjyshin tim nga nëna, piktor. Ndër të tjera ajo mori në pajë nga shtëpia e vajzërisë, apo pak më vonë, një velenxë të kuqe e të madhe, të dekoruar me pesë shirita te zij në krye dhe në fund. Nuk është njësh, por e përbërë nga pesë pjesë, pesë “pëlhura” nga tridhjetë, apo tridhjetë e një centimetra të gjëra, të bashkuara me qepje kryq, po me fill prej leshi.
Kështu ka qenë në popull tradita e detyruar nga përvoja, për të dhënë më të mirën e mundshme, gjatë përgatitjes së këtyre lloj shtrojesh, e mbulojesh me anë të vegjave shtëpiake, të përdorura nga gratë. Endja është e thjeshtë, nga ajo që njihet me emrin me dy lisa. Filli i majës, ai që mban edhe peshën, apo tërheqjen, është i hollë dhe i dredhur në drejtimin Z. Edhe filli i indit, apo si të thuash ai mbushës, është gjithashtu i dredhur Z, por lehtësisht, duke formuar volum dhe butësi. Tridhjetë e një fije në dhjetë centimetra kalojnë në seicilin drejtim. Velenxa ka diku një arnim, edhe ky prej leshi, e që mer formën spirale të kërmillit, realizuar në linjën e traditës.
Dimensionet e saj janë ‘të bollshme”, dyqint e gjashtë centimetra e gjatë dhe njëqint e pesëdhjetë e katër e gjërë. Disa thekë zgjatohen në të dyja fundet, ndërsa anash e konturon një fill i trashë i zi, i qepur spiral, por që sot është dëmtuar shumë.
Ajo vjen akoma e fortë, e butë dhe e ngrohtë, si një kujtim nostalgjik. Nganjëherë e përdor edhe sot, sidomos në netët e ftohta të dimrit. E ruan akoma të pandryshuar funksionin e saj, por duke të shtyrë në kujtime dhe histori të ngjarjeve të kaluara…
Pa dyshim që si kjo velenxë ka edhe të tjera në linjën e traditës në atë krahinë, por këtë e veçon prejardhja e saj nga shtëpia e njërit prej veprimtarëve të Lidhjes, prej të cilëve sot nuk ka mbetur thuajse asgjë.
A do të vazhdoj ta ruaj akoma në shtëpi? Ndoshta kur të jetë koha, apo ndonjë aktivitet përkujtimor, besoj se ajo do të meritojë një ekspozim domethënës.
Po për Sanën, çfarë mund të thom? Shkoj shpesh herë, me raste, në varrin e saj dhe vendos lule të freskëta mbi të./ shqiptarja