30 Prill, 2018 - 8:12 pm
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se kryeqyteti është shumë herë më i pastër nga ç’e gjetëm në 2015-ën, por ka ende punë për të bërë, sidomos në mentalitetin e shoqërisë për të mos nxjerrë gjithçka në rrugë.
Ai tha se çdo ditë, punonjësve të bashkisë u duhet një sforco e madhe për të mbajtur Tiranën pastër dhe për të vendosur rregull në rrugët e qytetit, të cilat shpesh zihen nga tregtarët e fruta-perimeve.
“Çdo ditë ndërmarrjes sonë të pastrimit i duhet të pastrojë trotuaret e të lirojë rrugët. E di që ka njerëz që me të drejtë thonë: po unë ku do shes? Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka mbi 22 tregje ku mund të shiten fruta-perimet, por ama duhet ta ndajmë: hyrjet e pallateve janë për të banuar, rruga dhe trotuari për të ecur, parku është për të pushuar dhe luajtur, kurse tregu është për të shitur. Nëse ndonjëri nga ju më tregon ndonjë qytet në botë i cili ka lulëzuar dhe pasuruar nga njerëzit që shesin përtokë, ma thoni dhe eja ta bëjmë Tiranën ashtu!”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Ai shtoi se nëse e duam Tiranën si kryeqytetet e Evropës, duhet që trotuaret të jenë të lira, që nënat me karrocë të kalojnë lirshëm. “Ambicia jonë nuk është ta bëjmë Tiranën si Kalkuta, me njerëz të shtrirë përtokë. Nëse e duam si BE, do ta bëjmë si në Evropë dhe nuk ka nevojë fare për histeri, për sa kohë që Bashkia ka tregje dhe do të duhet t’i mbajmë trotuaret e lira, që nënat apo gjyshet me karrocë fëmijësh të kalojnë lirisht, që si në çdo qytet evropian t’i ndajmë hapësirat”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se sfida më e madhe e këtij problemi është mentaliteti sepse tregjet për tregti ekzistojnë në gjithë Tiranën.
“Edhe në kohën e Zogut kishim të njëjtat probleme, njerëz që shisnin përtokë, hanin përtokë, pështynin përtokë. Por, fakti që 90% e Tiranës e ka pranuar, përtej histerisë, civilizimin, do të thotë që edhe ky 10% i vogël që na ka mbetur në këto zonat periferike, do të duhet ta pranojnë si pakti që kemi bërë me njeri-tjetrin, që qytetit të mos i bjerë vlera, që rrugët dhe infrastruktura të mos degjenerojnë, që të mos dukemi si Kabuli apo Kalkuta, por të dukemi realisht si kartolina europiane e Republikës së Shqipërisë, që aspiron nesër të jetë një vend me të drejta të plota në BE”, nënvizoi Veliaj.
/dita