22 Qershor, 2018 - 1:30 pm
E përgatiti Prof. Zymer Mehani
(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )
Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin mohamedan.
Shumë prej malsorëve janë katolikë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut pothuajse kisha greke është krejtësisht e pranueshme përveç mohamedanëve.
Gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët tjera të Europës sikurse është gjuha Kelte dhe Baske. Ata s’kanë literaturë veçse pak libra të priftërinjve katolikë; as alfabet të qëndrueshëm nuk kanë akoma.
Në shkollat e pakta turqit nuk kanë lejuar që të mësohet gjuha e tyre dhe nuk janë shumë ata që dijnë me shkruajtur e me lexuar. Historia e Shqipërisë është një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh.
Këngët e tyre tregojnë, theksojnë, vetëm lufta e trimërira. Të gjitha shkeljet e Europës mizore e kanë përshirë këtë vend me zjarrm e shpatë.
Mbasi vdiq heroi Gjergj Kastrioti që mbajti larg nga Shqipëria për 24 vjet ushtritë e sulltanit duke i zhdukur nga faqja e dheut njërën mbas tjetrës, otomanët mundën ta pushtojnë Shqipërinë dhe e mbajtën nën zgjedhë për më se 450 vjet.
Përveç popullit të fushave, të cilët i ka vrarë më shumë zgjedha e robërisë, përgjithësisht Shqiptarët janë trima e luftetarë të fortë. Malësori nuk del kurrë prej shtëpisë së tij i pa armatosur, e deri bariu mban tufën e vet i armatosur deri në dhëmbë.
Lufta ka qenë i vetmi besim i tyre; biles ata thonë: aty ku është shpata aty është besimi. Djali rritet pa farë edukate ose disipline përveç se përdorimit të armëve.
Në ushtrinë turke ai mësoi se si me vjedhë e me grabitë; në shtëpinë dhe vendin e vet zyrtarët dhe tagrambledhësit e pengonin në kursimet, punimet dhe industritë. I rritur në një atmosferë dhune dhe vjedhje, edhe urija shpesh here e ka shtërnguar të fitojë rrojtjen e tij si të mundet, qofte edhe prej armikut që i ka shkelë në votër.
Nuk duhet shikuar për çudi pse vjedhja që i bënin turqve quhesh patriotizëm i lartë. Pa dyshim këta malësorë janë të egër dhe të pamëshirshëm në mësymje ose në mbrojtje. Që këta kanë edhe zakone të këqija s’ka nevojë për vërtetim, porse janë rritur në një atmosferë pesimiste.
Një popull fisnik
Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me rradhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prap kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit.
Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore. San Xhiljano thotë se Shqiptarët janë egoista të radhës së parë. Sigurisht ata nuk janë një racë që shtrohen dhe kërrusen nga frika.
Trimërija e tyre s’ka kufi; ata e përballojnë vdekjen dhe fatkeqsinë e tyre pa u trembur. Fjala e besës për ta është shumë më e shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të qytetëruar dhe mikpritja e tyre vijon deri sa mos t’u mbetet më kurrgjë.
Virtytet e grave të tyre janë të trashëguara dhe vdekja është dënimi i zakonshëm dhe i shpejtë në rast tradhëtie ose imoraliteti.
Ndjeshmëria e tyre në çnderime dhe fëmijë është shumë më i madh se sa në rrena e shpifje dhe këto raste mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje.
Në asnjë vend tjetër të botës nuk është ma e sigurte gruaja nga fyerjet se sa në Shqipëri; ai qe vret një grua bie nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e nderon në këtë mënyrë besnikërinë e Shqiptarëve nga përvoja vetjake që pati prane tyre:
T’ashpër janë djemtë e Shqipërisë,
e me gjithë këtë nuk u mungojnë virtytet,
të ishin ato virtyte më të pjekur;
Ku është armiku që ua ka pa shpinën e shtegun ta lirojnë?
Fortesat e shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta kurrë,
sa ata vetë në kohëra turbullimi e në rast nevoje;
Sa e rëndë është mërija e tyre,
por kur ta falin, miqësia është fare e sigurtë;
Kur mirënjohja ose fisnikëria me derdh gjakun i thërret,
të patrembur shkojnë përpara kudo që t’i çojë udhëheqësi i vet.
Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë Shelli e thërriste atë me emrin përkëdhelës ALBI.
Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një fustan i bardhë që mbërrin deri ke gjuri, çorape të bardha mbulojne puplat e këmbëve, këpuce me maja të kthyeme e me tufa mbi ta, rrypi i mesit i mbushur me armë, xhamadani me mëngë të lëshuara mbrapa dhe qeleshe. (Xhorxh Fred Uilliams ka vizituar vetëm bregun e jugor të Shqipërisë, prandaj përshkruan kostumin popullor jugor Shqiptar – shën. përkth.).
Ky popull rron në formën prindërore, domethënë plaku i shtëpisë nderohet dhe shquhet përmbi të tjerët dhe të gjithë e dëgjojnë. Vajzat nderojnë dhe ndigjojnë nanën. Iu mbarohet më parë çdo dëshirë prindëve e pastaj të tjerëve.
Tek ky popull nderimi për moshën është një tipar i veçantë. Janë shumë zemër mirë për njëri tjetrin, ndihmojnë shoqi shoqin në rast rreziku apo nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër.
Në mes të tyre flasin një gjuhë të zbukuruar, përdorin shprehje të pastra dhe të prishurit e gojës shpaguhet pa vonesë e ngadonjëherë shumë rëndë. As me qeshje nuk përdoret gjuhë përdhosëse.
Mikpritja është në kulmin e saj në Shqipëri. Një sulm po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për gjithë fisin e tij. Ai që grabit ose vjedh mikun, sipas zakonit të vendit dënohet shumë rëndë, ose me vdekje ose nxirret jashtë fisit.
Burrat janë të gjatë, Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët në Jugë; gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një shkrimtar e përshkruan lëvizjen e malësorëve të Veriut si të dhive të egra që i ngjiten majave e shkëmbinjëve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë frike nga këto vende, që kur i sheh thua se asgjë e gjalle s’mund të shpëtoje nga ato.
Besa është tradita më e shenjtë; kur njëri ka besën e një personi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh e pret thyesin e saj prej personit të atij fisi.
Besa e Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por Shqiptari po të jetë nevoja jep edhe jetën për të mbajtur besën e dhënë.
Një udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të shenjtë.