6 Janar, 2019 - 6:28 pm
Tingëllojnë si vendi ku ndodhin ngjarjet e një romani të Den Braunit, por Vatikani dëshiron që të dini se fjala “Sekret” në emrin e tyre nuk ka kuptimin modern. Një përkthim më i saktë i titullit të tyre në latinisht – Archivum Secretum Apostolicum Vaticanum – do të ishte Arkivat Privatë.
Kjo librari shumë e madhe dokumentash historikë, që mbahet nën qytetin e Vatikanit, vlerësohet të jetë depozituar në 84 kilometra rafte dhe përmban më shumë se 35 mijë vëllime. Arkivi, i themeluar në vitin 1612, është në pronësi të cilitdo që është Papë, dhe në të ndodhen disa gjëra vërtetë të vyer, me origjinë qysh në fundin e shekullit 8 – duke përfshirë këtu kërkesën historike, por të paplotësuar të mbretit Henri VIII për anulimin e martesës, si dhe letra të artistit të madh, MIkelanxhelo.
Këtu ndodhen edhe dokumentat që flasin për persekutimin e Galileo Galileit për herezi, pasi tha se Toka nuk ishte qendra e universit. Ndjekësit e teorive konspirative besojnë se Arkivi përmban edhe prova të jetës jashtëtokësore, e madje edhe tekste të lashtë që mohojnë ekzistencën e Jezusit, si dhe portrete bashkëkohorë të tij (domethënë të pikturuar nga njerëz që e kanë parë).
Fjalën “i fshehtë” e bën edhe më ngatërruese fakti që, nga viti 1881, studiues të kualifikuar janë lejuar të hyjnë në Arkivë, ndonëse atyre nuk u lejohet të shohin dokumenta të pas vitit 1939. Nëse arrin të ndërtosh një fjali me fjalët “Nazistët, komplotu dhe Kisha Katolike”, mund të jesh në gjendje të kuptosh arsyen.
Në vitin 2012, Vatikani përkujtoi 400 vjetorin e Arkivit duke vendosur një koleksion relativisht të vogël prej 100 titujsh në Muzetë Kapitolinë të Romës. /Bota.al /KultPlus.com