Vendi ku lind, ka një ndikim thelbësor në personin që do të bëhesh

4 Shkurt, 2019 - 3:30 pm


Nga Samuel Putnam & Masha A. Gartstein

Që në shekullin V, historiani grek Tukididi, bëri krahasimin mes vetëkontrollit dhe stoicizmit të spartanëve, me qytetarët më të këndshëm dhe të lirë të Athinës. Sot, sjelljet dhe karakteristikat unike duken të rrënjosura në kultura të caktuara. Italianët kanë qejf të përdorin shumë gjestet kur flasin.

Fëmijët holandezë janë dukshëm të shpenguar, dhe nuk e vrasin shumë mendjen. Rusët buzëqeshin rrallë në publik. Si psikologë zhvillimorë, ne jemi të mahnitur nga këto dallime, se si ato marrin formën e tyre, dhe si trashëgohen nga një brez në tjetrin. Libri ynë i ri, “Të vegjlit, prindërit dhe kultura”, hulumton mënyrën se si vlerat e një shoqërie ndikojnë në zgjedhjet që bëjnë prindërit – dhe se si kjo nga ana tjetër, ndikon në atë që do të bëhen fëmijët e tyre.

Ndikimi i qëndrueshëm i vlerave kulturore

Edhe pse gjenetika ka sigurisht rëndësinë e saj, mënyra sesi silleni nuk ka një ndikim shumë të fortë. Gjatë 2 dekadave të fundit, hulumtuesit kanë dëshmuar se si kultura mund të formësojë personalitetin tuaj. Në vitin 2005, psikologu Robert Mekri dhe kolegët e tij, arritën të dokumentonin dallime të theksuara në personalitetet e njerëzve, që jetonin në pjesë të ndryshme të botës.

Për shembull, të rriturit nga kulturat evropiane, kanë prirjen të jenë më të hapur ndaj përvojave të reja, sesa ata nga kulturat aziatike. Brenda Evropës, ata zbuluan se njerëzit nga Evropa Veriore, ishin më të përgjegjshëm se sa bashkëmoshatarët e tyre në Evropën Jugore.

Kohët e fundit, ne qemë në gjendje t’i zbulonim disa nga këto dallime në fëmijërinë e hershme.

Prindërimi – ndoshta jo për ndonjë habi – luante një rol me rëndësi. Për të kryer kërkimin për librin tonë, ne punuam me kolegë nga 14 vende të ndryshme. Qëllimi ynë, ishte të shqyrtonim mënyrën se si vlerat e gjëra shoqërore, ndikojnë mbi mënyrën se si prindërit i rritin fëmijët e tyre.

Pastaj, studiuam se si këto stile të ndryshme të prindërimit, formësuan sjelljen dhe personalitetin e fëmijëve. Ne e bëmë këtë kryesisht, duke administruar pyetësorë për prindërit në mbarë botën, duke u kërkuar atyre të përshkruajnë rutinat e tyre të përditshme, shpresat që kanë për fëmijët e tyre, dhe metodat e disiplinës që ata përdorin.

Pastaj u kërkuam atyre të detajojnë sjelljet e fëmijëve të tyre. Ne gjithashtu u mbështetëm në punën e psikologut holandez social Gert Hofsted, i cili në vitet 1970, pyeti punonjës të kompanisë IBM-së anembanë botës, mbi faktorët që u shkaktonin kënaqësi në punë.

Ne ishim në gjendje të krahasonim gjetjet e tij me tonat, dhe u befasuam kur pamë rezultatet. Vlerat kulturore që u zbuluan përmes preferencave të punës në vitet 1970, mund të shihen në praktikat e prindërimit dhe temperamentin e fëmijëve 40 vjet më vonë. Kjo është e rëndësishme: Ajo tregon se vlerat kulturore janë relativisht të qëndrueshme, dhe duket se kanë një efekt në atë se si fëmijët zhvillohen me kalimin e kohës.

Të mendosh për veten apo për të tjerët?

Ndoshta më të njohurat nga këto vlera të gjera kulturore, janë individualizmi dhe kolektivizmi.

Në disa shoqëri, si SHBA dhe Holanda, njerëzit janë të nxitur nga përpjekjet për të fituar vetë jetesën. Ata priten të kërkojnë njohjen personale, dhe të rritin statusin e tyre social ose financiar.

Në shoqëritë kolektiviste, si Koreja e Jugut dhe Kili, vlera e lartë i caktohet mirëqenies së grupit më të madh – zakonisht familjes së tyre, por edhe vendit të punës ose vendit të tyre.

Ne zbuluam se mënyra se si prindërit i disiplinojnë fëmijët e tyre, është e ndikuar fuqishëm nga këto vlera shoqërore, dhe me gjasë shërben për të përjetësuar këto vlera nga njëri brez në tjetrin.

Për shembull, në krahasim me prindërit në kulturat individualiste, prindërit kolektivistë kanë më shumë gjasa, kur i qortojnë fëmijët e tyre, t’i orientojnë ata të “mendojnë” mbi sjelljet e tyre të këqija, dhe se si kjo mund të ndikojë negativisht mbi ta.

Kjo duket se nxit harmoninë në grup, dhe përgatit një fëmijë për të lulëzuar në një shoqëri kolektiviste. Njëherazi, nëse ju është thënë vazhdimisht të mendoni se si ndikojnë veprimet tuaja tek të tjerët, mund të keni gjithashtu më shumë gjasa të ndjeni ankth, faj dhe turp. Në fakt, ne kemi zbuluar se fëmijët në kulturat kolektiviste, kanë prirjen të shprehin nivele më të larta trishtimi, frike dhe sikletosje, sesa fëmijët që rriten në shoqëritë individuale.

Të lirë për të ndjekur lumturinë?

Një grup i dytë vlerash që kemi studiuar, ishte vetëkënaqësia përkundrejt vetëpërmbajtjes. Disa kultura, të tilla si SHBA, Meksika dhe Kili, kanë prirjen të lejojnë dhe nxisin vetë-kënaqësinë. Të tjera – si Koreja e Jugut, Belgjika dhe Rusia – inkurajojnë vetëpërmbajtje përballë tundimit.

Këto vlera, duket të jenë të lidhura me një grupim specifik qëllimesh nga ana e prindërve.

Në veçanti, prindërit në shoqëritë tolerante, priren të theksojnë rëndësinë e zhvillimit të vetëvlerësimit dhe pavarësisë.

Për shembull, ata presin që fëmijët të argëtojnë veten, dhe të shkojnë vetë në shtrat. Kur një nga fëmijët e tyre sillet keq, ata shpesh do të sugjerojnë mënyra se si ai ose ajo mund të ndryshojë sjellje, dhe të përpiqet të riparojë dëmet. Mesazhi që mund të marrin fëmijët nga ky lloj trajtimi, është se janë ata që e kontrollojnë lumturinë e tyre, dhe për këtë arsye duhet të jenë në gjendje të rregullojnë gabimet e tyre.

Njëkohësisht, kur fëmijët pritet të ndjekin kënaqësinë, ata mund të kenë më shumë gjasa që të kërkojnë shpërblime të menjëhershme – qoftë ngrënien e karameleve para darkës, apo marrjen pa leje të një lodre në një dyqan. Ndërkohë, në shoqëritë që i japin përparësi vetëpërmbajtjes, prindërit kishin më shumë gjasa të bërtisnin kur i disiplinonin fëmijët e tyre. Kjo mund t’i bëjë fëmijët më të bindur. Por kjo gjithashtu mund të bëjë që fëmijët të jenë më pak optimistë për jetën, dhe kanë më pak të ngjarë të kënaqin veten.

A është individualizmi e ardhmja?

Prindërit duket se janë të motivuar për t’i përgatitur më mirë fëmijët e tyre, për botën ku ata ka të ngjarë të banojnë, dhe çfarë funksionon në një kulturë, mund të mos funksionojë domosdoshmërisht në një tjetër. Por, ndërsa bota jonë bëhet më e ndërlidhur, kjo shumëllojshmëri e qasjeve të prindërimit mund të reduktohet.

Në fakt, shumica e vendeve janë bërë më individualiste gjatë 50 viteve të fundit – një ndryshim që është më i theksuar në vendet që kanë përjetuar më shumë zhvillim ekonomik. Gjithsesi, ekziston ende një ndryshim i madh në stilin e prindërimit dhe zhvillimin e fëmijërisë në të gjitha kulturat – një testament ky për ndikimin e qëndrueshëm të vlerave shoqërore.

“The Conversation”  – Bota.al. /KultPlus.com

Të ngjajshme