Vendimi që nxiti protestat masive studentore në mars të vitit 1981

11 Mars, 2019 - 1:00 pm

Në gjysmën e dytë të vitit 1980, Komiteti Qendrorë i Partisë Komuniste Jugosllave, në njërën prej mbledhjeve të saj, veç tjerash kishte diskutuar që shkollat fillore në Kosovë t’i hapnin dyert për nxënësit e klasave të para vetëm pasi fëmijët shqiptarë të kishin mbushur moshën 8 vjeç. Arsyeja e hapjes dhe diskutimit me ngut të një çështjeje të tillë, sipas këtij komiteti, ishte mungesa e objekteve shkollore, respektivisht hapësirat e pa mjaftueshme për të zënë numrin gjithnjë në rritje të nxënëseve (rreth 42.000) që vinin nga kombësia shqiptare. Vendimi ishte marrë por nuk ishte zbatuar kurrënjëherë. Ishte reagimi i mësimdhënësve të asaj kohe, dhe sidomos i prindërve shqiptarë, që kjo masë diskriminuese të mos aplikohej në praktikë.

Kjo ngjarje e papritur rreth arsimit në Kosovën e asaj kohe ishte kuptuar si masë ndëshkuese ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin gëzuar progres të pa shkëputshëm qysh prej rënies së Rankoviqit (1966) dhe si përpjekje për t’i kthyer proceset mbrapsht. I gjithë ky zhvillim po ndodhte pak kohë pas vdekjes së udhëheqësit komunist jugosllav, Josip Broz – Tito, i cili, për nacionalizmin serb në rritje, qe fajtori kryesor i ngritjes arsimore e kulturore si dhe emancipimit e faktorizimit politik në vazhdimësi të shqiptarëve si etni jo-sllave, dhe Kosovës si entitet politik brenda Jugosllavisë.

Vendimi për shtyrjen e moshës së nxënësve filloristë nga 7 vjeç, sa ishte paraprakisht, në 8 vjeç për vitet pasuese pas atij të 1980-ës, asokohe pati jehonë të madhe në masat e gjera të cilat e shihnin progresin tek arsimimi sa më cilësorë i të rinjve. Mundësia e vajtjes në shkollë e fëmijëve në moshë më të rritur ishte reflektuar si përpjekje për të penguar zhvillimin normal e gjithnjë në progres të arsimit, e si rrjedhojë edhe shkak për ngecjen kulturore dhe ekonomike të Kosovës, tregu i së cilës po kërkonte në vazhdimësi njerëz të kualifikuar.

Megjithatë, institucionet autonome të asaj kohe në Kosovë nuk e kishin vënë në zbatim vendimin për shtyrjen e moshës për nxënësit filloristë, për faktin se ngjarjet evoluuan në mënyrë të papritur dhe kishin marrë rrjedhë të paparashikuar dhe si rrjedhoje përballë zhvillimeve të mëvonshme dramatike që ndodhën në Kosovë, vendimi në fjalë u la nën hije, madje kaloi në harresë dhe nuk e mori vëmendjen e duhur as edhe nga historiografia jonë.

Siç kujtojnë protagonistë të ngjarjeve të kohës, njëri prej tyre mësimdhënës në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë, kundërshtues më me zë i këtij zhvillimi të papritur kundrejt arsimit shqip, ngjarja në fjalë nxiti një atmosferë revanshi të tensionuar në Kosovë, e cila evoluoi në protestat e famshme të Marsit ‘81…

Ndërkaq, historiografia zyrtare shqiptare protestat e studentëve të Marsit ’81 i shpjegon si shpërthim i mllefit të akumuluar tek popullsia shqiptare shumicë e Kosovës e cila po diskriminohej prej shumë vitesh nga pakica serbe në krahinë dhe regjimi komunist i Beogradit që nuk i njihte shqiptarët si komb por si kombësi brenda Federatës jugosllave.

Mirëpo ky detaj i vendimit të Komitetit komunist jugosllavë që kishte për qëllim amullinë e progresit arsimor, kulturor, ekonomik e politik të shqiptarëve, si popull shumicë në Kosovë, është shpërfillur nga historiografia shqiptare përgjithësisht dhe ajo kosovare veçanërisht. Rrjedhimisht mund të thuhet se rishikimi i këtij fragmenti të historisë sonë do t’i jepte përgjigjen e duhur dhe më kuptimplote nxitjes dhe shkaqeve të protestave të Marsit 1981. Deri më tash, për këtë ngjarje historiografia jonë ka dhënë një version të dyshimtë dhe jo bindës, por zyrtarë, duke e përkufizuar protestën vetëm si reagim spontan i disa studentëve të pakënaqur me ushqimin jo-kualitativ dhe pakujdesinë higjienike në mensën e tyre në Prishtinë, pavarësisht se rregulli, disiplina dhe kushtet për punë në të gjitha institucionet e asaj kohe ishin në zenitin më të mirë të tyre. Paradoksi rritet akoma më shumë kur kihet parasysh se studentët e rebeluar ndaj kushteve “të vështira” në mensë dhe konvikte, e që merrnin bursa nga shteti, vinin nga regjione dukshëm më të prapambetura dhe me kushte shumë më të vështira të jetesës, deri në shkallën varfërisë së skajshme. Veç kësaj emrat konkretë të nismëtarëve të protestave të marsit nuk u bënë të ditur kurrë. Pra mungesës së fakteve konkrete se si filloi rebelimi studentor, i pasuar nga protestat masive gjatë vitit 1981, do duhej t’i përgjigjej historiografikisht nxjerrja në pah e vendimit rreth arsimit fillor, ashtu siç u parafrazua në titull.

Shënim:

Detajin kyç të kësaj ngjarje, që mund të konsiderohet si nxitës, madje dhe sqarues i protestave studentore të vitit 1981, ashtu siç u mundova ta sqaroj më lartë, e mora nga Rushit Zeqiri, ish-mësues në Shkollën Fillore “Asim Vokshi” të Prishtinës dhe aktualisht mësues në ShFMU “Selman Riza” në Fushë Kosovë, i cili sivjet shkon në pension së bashku me një bagazh të gjerë enciklopedik.

Nderime dhe respekt për të dhe gjithë mësuesit, arsimtarët, profesorët e pedagogët tanë të këtij kalibri që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre, pa kursyer pasurinë e rininë, madje as jetën e shëndetin, për t’i arsimuar dhe edukuar mirëfilli gjenerata të tëra ndër ne.

/Adem Breznica, gazetar dhe profesor i Historisë/ KultPlus.com

Të ngjajshme