7 Qershor, 2018 - 10:46 pm
Publicisti, Veton Surroi në emisionin Debat Plus të RTV Dukagjinit, ka folur edhe për fenë islame dhe pluralizmin e islamit në Kosovë.
Surroi e ka quajtur Shefqet Krasniqin “dhunues”, pasi sipas tij, e ka keqpërdorur religjionin..
“Nuk mund të tërhiqemi prej dhunuesve të fjalës në publik. Pra, Shefqet Krasniqi është dhunues. Një njëri që thotë se Nënë Tereza ka me shku në ferr…, e keqpërdor religjionin me fjalor dhune. Fjalor dhune është kur i degradon të tjerët”, ka thënë Surroi.
Ai ka theksuar se Islamofobia poashtu është fjalor dhune.
“Ta quash dikë të prapambetur pse është mysliman, është absolutisht fjalor dhune, e zhvlerëson identitetin e njerëzve”, tha ai.
Surroi ka folur edhe për institucionet e Kosovës, duke thënë se nuk kanë pse merren me interpretimin e formave të ligjërimit të hoxhallarëve në Kosovë, përcjell Telegrafi.
“Është krejtësisht në kundërshtim me Republikën shekullare laike të Kosovës. Institucionet nuk kanë pse merren me interpretimin e formave të ligjërimit të mulla Shefqetit apo cilitdo hoxhë në Kosovë”.
Surroi ka thënë se ligjërimi i fesë islame në shqip është i vonshëm krahasuar me katolicizmin.
“Islami (te shqiptarët) ka një veçanti krahasuar me religjionet tjera, për shkak të një interpretimi shumë të vonshëm të dhënies së lirisë të ligjërimit në gjuhën amtare. Ka rreth 80 vjet që ne ligjërojmë islamin në shqip, në krahasim me Kishën Katolike, e cila ligjëron shqip së paku nga shekulli XVI”, është shprehur Surroi.
Publicisti në Debat Plus të RTV Dukagjinit ka deklaruar se Islami në Kosovë ka si përparësi pluralizmin.
“Islami shqiptar ka një përparësi, është i vetmi islam evropian, sepse nuk është pjesë e një procesi dekolonizimi ku vijnë emigrantë etj., është i njerëzve të këtushëm”, ka thënë ndër të tjera Veton Surroi./Telegrafi/