28 Qershor, 2023 - 9:00 am
Kryeministri Edi Rama ka ndarë fotoalbumin e mbrëmjes së tretë të festivalit Folklorik Kombëtar, që po zhvillohet në Gjirokastër. Në skenë e ndërtuar te Kalaja e Gjirokastrës, mbrëmjen e tretë u ngjitën grupe nga Dibra, Tirana dhe Kosova.
“Vijojnë netët plot ngjyra të tabanit në Gjirokastër”, theson Rama në rrjetet sociale.
“Folklori dibran, motivet nga Kosova e Tirana përmbyllën natën e tretë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, vijon deklarata e Ramës.
Festivali Folklorik Kombëtar që po zhvillohet në Kalanë e Gjirokastrës ka nisur të shtunën dhe vijon deri në datë 2 korrik. Festivali është kthyer në një atraksion turistik, i cili promovon foklorin dhe traditën e vendit tonë. Në festival marrin pjesë grupe nga të 12 qarqet e vendit, por edhe nga vendet fqinje.
Historiku i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës
Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968 në Kalanë e Gjirokastrës. Festivali, si një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore, bëri bashkë grupet artistike në çdo rreth duke i ftuar ata të performojnë së bashku në skenë çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988, në Kalanë e Gjirokastrës, ku janë zhvilluar rregullisht FFK-të.
Në festivalin e vitit 1973 në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 vetë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 interpretuan gjatë ditëve të festivalit.
Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit.
FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator, deri në 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua edicioni i nëntë.
Pjesëmarrja në Festival e grupeve folklorike nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë dhe Malit të Zi, arbëreshëve, arvanitasit, diasporës së largët si dhe të folklorit çam, etj, shërben për të zgjeruar jo vetëm hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar, por sjell edhe vlera të papërsëritshme në interpretimin dhe ekzekutimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore tradicionale shqiptare duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar./atsh/KultPlus.com