17 Tetor, 2018 - 6:00 pm
Projekti për rehabilitimin e plotë të Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis dhe Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik, po merr formë të plotë çdo ditë e më shumë.
Ky restaurim është një vlerë e shtuar për t’i treguar turistëve të huaj vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.
Projekti i hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës financohet nga Ministria e Kulturës si pjesë e programit “Rrugët e Besimit”, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”.
Projekti parashikon restaurimin e plotë të memorialit, Kishës së Shën Nikollit, riformulimin e mbulesës së objektit, sistemin e ndriçimit dekorativ dhe funksional, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në mozaik dhe afreske.
Memoriali i Skënderbeut është vendi ku më 2 mars 1444 u mbajt “Besëlidhja e Lezhës” dhe ku më 17 janar 1468 u varros heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ky objekt që i përket shek. XIV është e tipit bazilikor me gjatësi 17 m dhe gjerësi 8 m. Në muret e saj ndodhet një afresk i Shën Nikollës. Sipas gojëdhënave në vitin 1478 turqit, të cilët pushtuan Lezhën, e shkatërruan dhe e hapën varrin e Skënderbeut dhe thuhet se eshtrat e tij u morën nga ushtarët dhe i mbështollën me flori e argjend për t’i përdorur si hajmali për pathyeshmëri në beteja.
Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut