1 Shkurt, 2018 - 7:13 pm
Në këtë fotografi të realizuar në vitin 1971 janë katër njerëz që i dhanë shumë artit e kulturës shqipe.
Melihate Ajeti – Aktorja numër një e teatrit prishtinas. Melihatja e nisi aktrimin si 16 vjeçare, më 1951 në Teatrin Krahinor të Kosovës dhe shkriu në skenë 180 role kryesore me të cilat dëshmoi talentin dhe kapacitetin e madh prej aktoreje.
Ismail Kadare – Shkrimtar shqiptar i njohur në mbarë botën. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit, shkruan KultPlus.
Azem Shkreli – poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën
Besim Sahatçiu – Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. U lind më 2 tetor 1935 në Pejë, dhe ndërroi jetë në vitin 2005.
Fotografia: ILAZ ALIU / Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history.