Viti i Skënderbeut, muzetë e Krujës të gatshëm për numrin në rritje të vizitorëve (VIDEO)

2 Janar, 2018 - 11:20 am

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Për vitin 2017, numri i përgjithshëm i i personave që kanë vizituar këto muze shkon në rreth 105 mijë vizitorë, prej të cilëve gati 30 për qind janë turistë të huaj. Për vitin që kaloi vihet re një shtim me 5-7 mijë persona i numrit të vizitorëve, krahasuar me vitin 2016.

Mehdi Hafizi, drejtori i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë, detajon disa nga përgatitjet që po bën stafi i këtyre muzeve për t’iu përgjigjur denjësisht të gjitha pritshmërive të vizitorëve në vitin 2018.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja. “Stafi i Muzeve të Krujës ka treguar gatishmëri maksimale për t’i pritur vizitorët me kulturë dhe profesionalizëm. Kjo ka bërë që numri i vizitorëve të ketë një rritje 5-7 mijë më shumë se viti paraardhës dhe numri i përgjithshëm për vitin 2017 të shkojë rreth 105 mijë vizitorë, te kategorive të ndryshme”, tha ai.

Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka sinjalistikë turistike në gjuhët shqip-anglisht, ndërsa në Muzeun Etnografik informacioni i përgatitur jepet në 12 gjuhë të huaja. Gjendja e të dy Muzeve si brenda dhe jashtë, sipas drejtorit Hafizi, “është përmirësuar në vazhdimësi”.

Për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Hafizi thekson se do të ishte pozitive nëse bëhen përpjekje për të mundësuar ekspozimin për një periudhë të caktuar kohore në këtë Muze, të armëve të Heroit tonë kombëtar.

Po ashtu, ai sugjeroi hapjen në ambientet e Muzeut të një ekspozite me vepra origjinale të piktorëve shqiptarë kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për një periudhë 6- mujore, vepra të cilat ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Me interes, sipas Hafizit, do të ishte që objektet e periudhës mesjetare që gjenden në Muze të tjerë në vend, gjatë vitit 2018, të ekspozohen në këtë Muze.

“Në Muzetë e Krujës, ne kemi dhjetëra eksponate që tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj, por mund të themi që historia e Skënderbeut dhe veprat e artit zgjojnë interes në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa në Muzeun Etnografik zejet, mënyra e jetesës dhe e gjithë banesa”, tha ai.

Intervista për ATSH-në e Mehdi Hafizit, drejtorit të Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë./ KultPlus.com

Të ngjajshme