Viti i Skënderbeut, ndahen 52 milion lekë për aktivitetet gjatë këtij viti

30 Mars, 2018 - 6:45 pm

I shpallur si viti i Skënderbeut, 2018 do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh në të gjitha fushat kushtuar heroit tonë kombëtar.

Për këtë arsye qeveria ka miratoi një fond prej 52 200 000 lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve që do të realizohen në kuadër të vitit 2018, si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi këtë shtesë fondi në buxhetin e vitit 2018 të Ministrisë së Kulturës. Nga ky fond, parashikohet që shuma prej 14 200 000 lekësh të shkojë në programin buxhetor “Trashëgimia kulturore dhe muzetë” në zërin “Shpenzime korrente”. Ndërsa në programin buxhetor “Art&kultura” kalon fondi prej 38 000 000 lekësh. Sipas vendimit të qeverisë, ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ndërkohë një komision i posaçëm do të ngrihet, për organizimin dhe promovimin e këtij viti ku përveç 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare. Tri monedha të reja do të hidhen në treg nga Banka e Shqipërisë. Pak kohë më parë u mor vendimi për emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”. “Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Kujtojmë se viti 2018, është shpallur nga qeveria si “Viti i Skënderbeut”, në nderim të 550 vjetorit i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Në zbatim të vendimit të Komisionit Shtetëror për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Këshilli i Lartë i Arkivave ka miratuar modelet e dokumenteve administrative që përmbajnë logon, të detyrueshme për zbatim nga gjithë administrata shqiptare. Logoja dhe përmasat e saj janë miratuar nga Komisioni Shtetëror me vendimin nr.2, ndërkohë që KLA e ka integruar në dokumentet administrative për vitin 2018. Skënderbeu lindi në vitin 1403. I përkiste familjes së Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. / KultPlus.com

Të ngjajshme