5 Prill, 2019 - 5:00 pm
Kambana e Kishës së Shën Mëhillit në fshatin Sukaxhi të Njësisë Administrative Ungrej në Lezhë, është grabitur nga persona të paidentifikuar.
Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa sipas të dhënave vjedhja është realizuar gjatë orëve të natës. Kambana ishte prej bronzi me peshë 370 kg. Ajo ju dhurua Kishës së Shën Mëhillit nga Vatikani në vitin 1925 me mbishkrimin “Fisit Kreshnik të Kashnjetit”, dhe ishte një relike fetare ndër më simboliket për trevën.
Kisha u ndërtua në shek. e XVII dhe në të përqendrohet edhe drejtimi i klerit katolik për trevën. Në kohën kur në fshat shërbente si misionar katolik dom Prend Suli, hapi dhe shkollën e parë në zonë, në vitin 1901 në Kashnjet. Në lidhje me ngjarjen policia ka nisur hetimet.
Ndërsa ende nuk është rënë në gjurmët e autoreve të cilët kanë kryer vjedhjen, kjo duke ju referuar faktit se kisha ndodhet në një zonë të thellë malore e cila është shumë pak e banuar.
Në polici janë shoqëruar disa persona, të cilët janë marrë në pyetje rreth ngjarjes dhe më pas janë lënë të lirë./ Insajderi/ KultPlus.com