13 Shtator, 2017 - 5:40 pm
Multi-Cult Fest rikthehet me edicionin e dytë, i cili do të mbahet më 29 shtator, në Teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.
“Multi-Cult Fest” është një festival që synon të rrisë shkëmbimin kulturor ndërmjet të rinjve me prejardhje të ndryshme etnike në Kosovë, duke ju ofruar mundësi për të bashkëvepruar dhe komunikuar përmes artit. Ajo çfarë e veçon këtë festival është promovimi i multikulturalizmit në Republikën e Kosovës, duke ndihmuar thellimin e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të rinjve që vijnë nga komunitetet e ndryshme.
Edicioni i parë i Multi-Cult Fest ishte i financuar nga Bashkimi Evropian – përmes skemës së grandeve nga Culture for All – dhe targetonte vetëm të rinjtë e shkollave të mesme nga komunitetet serb, turk dhe rom së bashku me të rinjtë kosovar të rajonit të Gjilanit. Ndërsa, këtë edicion Multi-Cult Fest përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit, ku në programin performues do të ketë grupe profesionale nga e gjithë Kosova që vijnë nga komunitetet e lartë cekura.
Këtë edicion programi i Multi-Cult Fest do të ketë performancë me këngë dhe valle, pikturim dhe promovim të ushqimit tradicional.
Festivali i parë i këtij lloji në rajonin e Anamoravës.
Multi-Cult Fest implementohet nga organizata jo-qeveritare KAND – Center For Social and Cultural Development./ KultPlus.com