6 Nëntor, 2018 - 10:00 am
Turizmi i peizazhit është më i preferuari i stinës së vjeshtës. Pamjet mahnitëse të krijuara nga zverdhja e gjetheve në pyjet e lartësive të Thethit, të lënë pa frymë.
Kjo bën që në këto pyje gjatë ditëve të kësaj stine, që për nga temperaturat ngjan me pranverën, të ketë çdo ditë vizitorë dhe turistë të shumtë.
Në disa fotografi të publikuara nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare Shkodër, shfaqen natyra dhe bukuria e kësaj zone.
Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.
Turistë të shumtë ngjiten në këto lartësi pikërisht për këto vlera emocionale.
Bukuritë e papërsëritshme të Thethit malor, në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Ai rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, ku aplikohen sportet malore dhe shëtitjet në natyrë.
Pylli është mjaft i pasur edhe me shpendë e kafshë të ndryshme. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa le grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit.
Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmëndjen e shumë alpinistëve, spelologëve, gjeografëve, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj, janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonë, shkruan ata.
Këto janë disa prej arsyeve që shumë vizitorë të huaj dhe vendas vijnë në Theth në çdo stinë./ KultPlus.com