5 Qershor, 2019 - 11:34 am
Gjykata e Lartë në Podgoricë e ka dënuar Vllado Zmajeviqin me 14 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Ai u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999.
Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviq, në shpjegimin e aktgjykimit të tij, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se “vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata”, transmeton rel.
Zmajeviq ka të drejtë të apelojë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit.
Në gusht të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte konfirmoi se kishte arrestuar Vllado Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj i kishte thënë Radios Evropa e Lirë, se Vllado Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.
Në bazë të hulumtimeve gjatë vitit 2000, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona, më 29 dhe 30 mars 1999.
“Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, më 29 mars 1999, tetë autobusë, sipas të gjitha gjasave, me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshat dhe kanë vrarë gjashtë persona. Natyrisht, të gjithë civilë të përkatësisë shqiptare, në mesin e të cilëve edhe pleq dhe gra”, kishte deklaruar Blakaj.