Vlora në sezonin turistik restauron 68 monumente

12 Qershor, 2019 - 9:47 am

Qendra historike është zona ku qyteti i Vlorës ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Restaurimi i 68 monumenteve të këtij qyteti bregdetar pritet të përfundojë brenda muajit qershor.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër punimet për rijetëzimin e kësaj qendre, e cila do t’u ofrojë vizitorëve dhe turistëve një vend në të cilin pasqyrohet më së miri vlera kulturore e Vlorës, transmeton Koha Ditore.

“Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike. Së bashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, dhe kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli, inspektuam punën në rrugën ‘Justin Godard’ dhe atë të ‘Hebrenjve’, ku po punohet në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike.

Së bashku me partnerët tanë të AADF-së dhe Bashkinë e Vlorës do të kalojmë të gjitha vështirësitë, që kanë dalë gjatë zbatimit dhe do t’i japim një tjetër pamje qytetit”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë, si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat historike që mban emrin “Justin Godard”.


Rruga “Justin Godard” ka qenë rruga kryesore e qytetit në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Cepi perëndimor i saj shpie te Sheshi i Flamurit, kurse ana lindore në lagjen “Partizani” në drejtim të Babicës, ku ka shumë foto të hyrjes së luftëtarëve më 1920.

Në fund të muajit maj, në kuadër të hapjes së sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë kishte nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese nëpër monumente.

Në anën tjetër, autoritetet shqiptare ka kohë që promovojnë projekte që fuqizojnë turizmin kulturor. Muajin e kaluar shteti ka vendosur që t’i bëjë edhe më atraktive disa monumente, duke përdorur teknologjinë. Për këtë ministrja Margariti kishte vizituar Kalanë e Prezës, kur bëri një shëtitje virtuale në këtë monument të kategorisë së parë, që është një destinacion historik dhe kulturor afër kryeqytetit shqiptar.

Të ngjajshme