Vokrri ka luajtur edhe në KF Kosova të Obiliqit

12 Qershor, 2018 - 10:00 pm

Bajram Mjeku / Facebook

Mbasi ndërroi jetë futbollisti më i shquar kosovar i të gjitha kohëve Fadil Vokrri, është e natyrshme të flitet për karrierën e tij prej futbollisti, por askush nuk tha se idhulli i mijëra tifozëve kosovarë ka luajtur për dy sezone gjatë viteve 1978-’79 edhe në klubin futbollistik Kosova të Obiliqit, i cili tashmë e bartë emrin KEK.
Në këtë kohë, kur ylli i ardhshëm kosovar Fadil Vokrri luante në Kosova të Obiliqit, në këtë klub ishin të angazhuar edhe futbollistët tjerë të njohur si Bilbil Sokoli, Edmond Rugova, si dhe dy futbollistët e ardhshëm të KF Prishtina, portieri Kosta Llalliq, Ranislav Arsiq e të tjerë.
Gjatë këtyre dy sezoneve, unë isha nxënës i shkollës së mesme dhe mbas orëve të mësimit, këta futbollistë i kam përcjellë vazhdimisht gjatë seancave stërvitore. Shkas për këtë ishte kushëriri im Kadri Haxhiu, atëbotë sulmues i këtij klubi me numrin 11, të cilin në vitin 1976 përmes Driton Bekteshit, atëbotë sekretar i KF Trepça të Mitrovicës e pati kontaktuar Partizani i Beogradit. Nuk mundi të realizonte kontratën, për shkak se pikërisht ato ditë ndërroi jetë babai i tij dhe Kadriu do të mbetetej kujdestari i vetëm i familjes.
Fadil Vokrri atëbotë ishte 18 vjeçar. Ishte futbollist jashtëzakonisht i talentuar dhe i qetë, i cili edhe gjatë stërvitjeve nuk fliste asnjëherë! Më kujtohet kur në fund të një stërvitjeje në zhveshtore të stadiumit, kushëriri im Kadriu pat thënë: Nëse nuk e dëmton modestia e tepërt, Fadili do t’i mbërrijë kulmet në futboll!

Të ngjajshme